

Humbja 2-0 ndaj Napolit, në "San Siro", e largon akoma më shumë Paulo Fonsecan dhe Milanin e tij nga kreu i renditjes, e komplikon shumë ndjekjen e titullit, objektiv i deklaruar i trajnerit portugez. Analiza e trajnerit të “Djallit” ishte e qartë dhe e hidhur: "Ndeshja u kushtëzua nga dy gabime të rënda? Unë jam gjithmonë përgjegjës për atë që ndodh në fushë. Padyshim që nuk është e lehtë ta nisësh ndeshjen me gol të pësuar menjëherë, pas 5 minutash lojë. Ajo që pashë është se Napoli shënoi dy gola, ndërsa ne humbëm shumë mundësi”.
A është titulli ende në horizontin tuaj?
Nuk mund të them ndryshe, pasi pamë se si luajtëm dhe si reagoi skuadra në një moment të vështirë, duke luftuar dhe treguar se ishim të bashkuar. Kemi luajtur vetëm 9 ndeshje dhe nuk mbaj mend që ndonjë ekip ta ketë fituar apo humbur titullin pas kaq ndeshjesh. Dua të vazhdoj rrugën time, që duket e qartë, dhe të marr rezultate pozitive për t’u rikthyer në luftën e titullit.
Milani është një skuadër plot gjallëri. Pas golit të Napolit luajti 20, 25 minuta të mira, por gjithmonë duket sikur diçka mungon si përpara, ashtu edhe prapa. A je i shqetësuar?
Shqetësimi im është kryesisht për shkak të golave që kemi pësuar. Janë gola që nuk mund të pësohen ndaj një skuadre si Napoli. Kam parë momente cilësore, por nuk është e lehtë të kërkosh hapësira kur kundërshtari luan me 10 lojtarë të tërhequr në detyra difensive. Ajo që mungonte, për mendimin tim, ishte shndërrimi i mundësive që kishim në gola. Duhet ta përmirësojmë këtë aspekt.
Shumë lojtarë ju mungojnë…
Unë mendoj se kushdo që luajti, u paraqit mirë. Nuk kërkoj justifikime, besoj te të gjithë lojtarët. Sonte e demonstruan se meritojnë vëmendjen time si trajner. Mund të themi se mungojnë lojtarë të rëndësishëm, por nuk e di nëse me ata do të kishim bëri më mirë sonte. Kushdo që luajti bëri mirë.
A keni një vlerësim të konsoliduar tashmë për situatën e këtij Milani?
Nuk prisja kaq shumë vështirësi në ndryshimin e mënyrës së lojës, edhe nëse ky ndryshim ka filluar të shihet. Meqë jemi te ndeshja ndaj Napolit, ata shënuan dy gola me dy mundësi. Ne bëmë shumë gjëra pozitive, por çaluam te finalizimi.
Si po e motivon Leaon?
Nuk dua të hyj në detaje. Unë i menaxhoj gjërat me lojtarët në një mënyrë tjetër. Nuk ka asnjë konflikt mes nesh, është vetëm opsioni i trajnerit. Ne përpiqemi t’i motivojmë lojtarët në mënyra të ndryshme. Pastaj iu takon lojtarëve të bëjnë më të mirën e tyre, me vetëmohimin e duhur. Unë nuk duhet t’iu lutem atyre që të japin maksimumin.
A e keni fjalën për Leaon?
Nuk e kisha fjalën për Leaon kur fola për vetëmohimin. Është e vështirë të luash me tre anësorë. Pulisic nuk luan në pozicionin e Leaos, luan Okafor. Sot Leao hyri mirë, dha disa përgjigje të mira. Pastaj, nëse jemi të sinqertë, le të shikojmë ndeshjen e Okafor. Ai po luan mirë për momentin, ndaj është e vështirë për mua ta mënjanoj nga formacioni.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





