Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit priti Ambasadorin italian Fabrizio Bucci dhe Ekspertin e Sigurisë Dr. Salvatore Gava. Vlerësojet bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me forcat policore në Itali dhe u dakordësua për forcimin e mëtejshëm të tij
Tiranë – Italia e konsideron Policinë e Shtetit shqiptar si partnere të barabartë, profesioniste dhe të besueshme.
Këtë pohim e bënë sot në Tiranë, Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci dhe Eksperti i Sigurisë Salvatore Gava, raporton noa.al.
Ata uruan Drejtor Prodën për detyrën e re dhe konfirmuan gatishmërinë e forcave të Policisë italiane për të bashkëpunuar ngushtë me Policinë shqiptare, si një partnere e barabartë, profesioniste dhe e besueshme, në të gjitha betejat e përbashkëta kundër krimit, me synimin për të garantuar sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve.
Krahas prezantimit, u vlerësua bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me forcat policore në Itali dhe u dakordësua për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Proda shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e gjithanshëm me forcat e Policisë italiane (Policinë e Shtetit, Karabinierët dhe Guardia di Finanza që gjejnë shprehjen e tyre në Shërbimin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor), si dhe për mbështetjen në luftën kundër terrorizmit, grupeve kriminale, kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve, migracioni i paligjshëm, si dhe për gjurmimin e pasurive që rrjedhin nga krimi.
Bashkëpunimi prej dekadash ka rezultuar në skuadra të shumta hetimore dhe operacione të përbashkëta policore, pjesërisht për kapjen e personave të kërkuar ndërkombëtarisht.
Ky bashkëpunim u zgjerua gjatë sezonit veror, si dhe për aspekte të tjera të edukimit dhe trajnimit të personelit policor. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd