Transmetuar më 29-10-2024, 10:05

“Nuk është mirë për futbollin që një ekip si Real Madridi të mos jetë i pranishëm në një gala si ajo e Topit të Artë”. Ky është mendimi dhe qëndrimi i trajnerit të Spanjës, Luis de la Fuente, duke komentuar vendimin e klubit galaktik të Madridit për ta bojkotuar ceremoninë e ndarjes së ‘Topit të Artë’, pasi mësoi se fituesi nuk do të ishte Vinicius Jr, por Rodri.

“Të gjithë marrin në pavarësi vendimet që duhet të marrin, por unë do të doja ta shihja të gjithë futbollin botëror të përfaqësuar në këtë ceremoni, patjetër edhe futbollin spanjoll”, – shtoi trajneri kampion i Europës, i cili ishte mes kandidatëve për trajnerin më të mirë të vitit 2024, çmim i fituar nga Carlo Ancelotti.

Më pas kishte fjalë për praninë e tij në listën e kandidatëve për çmimin e trajnerit më të mirë të vitit 2024: "Është nder të jem i pranishëm këtu, duke përfaqësuar futbollin spanjoll, përtej çmimeve individuale. Unë jam këtu për të përfaqësuar Spanjën".

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente foli para ceremonisë së ndarjes së “Topit të Artë”, duke shpjeguar se nuk kishte marrë asnjë informacion paraprak për triumfin e Rodrit, por lutej për suksesin e një lojtari nga kombëtarja e tij: “Nëse më pyesni se kë preferoj, do të thoja njërin mes Rodri dhe Carvajal, pra një spanjoll”.

Më pas trajneri iberik u fokusua te rëndësia që kishte triumfi i një lojtari që drejton vetë në kombëtare: “Fitimi i ‘Topit të Artë’ nga Rodri është diçka madhështore për futbollin spanjoll , një sinjal i mirë për gjendjen shëndetësore të futbollit tonë.

Rodri, ashtu si Carvajal, ka kaluar nëpër duart e mia në ekipet kombëtare të moshave të Spanjës, si pothuajse të gjithë ata që janë tani në kombëtaren e madhe. Kam pasur rastin të punoj shumë herët me të.

Çmimi i trajnerit më të mirë? Përderisa isha pjesë e listës finale, kisha shanset e mia, por gjithsesi ndihem fitues edhe pa këtë çmim. Unë mendoj se është gjë pozitive që disa trajnerë spanjollë ishin mes kandidatëve finalistë (Xabi Alonso dhe Pep Guardiola, dy të tjerët). Të gjithë duhet të jemi të lumtur për këtë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit