Partia e Muhaxherit, Lidhja Demokratike e Kosovës, dënoi ashpër sulmin ndaj kryetarit të Pejës, duke kërkuar që personat e dyshuar të përballen me drejtësinë.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar fizikisht nga dy persona mëngjesin e 26 tetorit në Pejë. Pas sulmit, Muhaxheri ka publikuar një fotografi në Facebook, duke thënë se është mirë me shëndet.
Nga Prokuroria e Pejës konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se dy personat e dyshuar janë arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe prokurori i çështjes ua ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.
Avokati i Muhaxherit, Dukagjin Kërveshi, tha përmes një postimi në Facebook se kryetari i Pejës beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare, duke shtuar se ai tashmë ka dhënë deklaratë në polici për këtë rast.
Partia e Muhaxherit, Lidhja Demokratike e Kosovës, dënoi ashpër sulmin ndaj kryetarit të Pejës, duke kërkuar që personat e dyshuar të përballen me drejtësinë.
“Sulme të tilla nuk i shërbejnë demokracisë dhe janë nxitëse në këtë periudhë. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë, dhe veprime të tilla kërcënojnë sigurinë dhe mirëqenien e udhëheqësve tanë”, u tha në reagimin e LDK-së.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Muhaxherin “as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë”, duke kërkuar që organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta për të mbajtur përgjegjës të dyshuarit.
Nga Prokuroria Themelore e Pejës thanë për REL-in se janë duke e përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve./REL
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd