Transmetuar më 24-10-2024, 21:08

DURRËS- Një pallat i dëmtuar nga tërmeti i 2019 dhe i pabanuar, që ndodhet në rrugën “Aleksandër Gogo” në Durrës është kthyer në një vend të rrezikshëm dhe shqetësim për banoret e kësaj zone pasi është kthyer në një strehëz për përdoruesit e drogës dhe ushtrimit të prostitucionit, por mesa duket për autoritetet të tilla vende janë të padukshme dhe asnjë masë nuk merret ndërsa qytetarët duhet të përballen çdo ditë, jo vetëm me infeksionet e mundshme, por edhe me rrezikun që sjellin frekuentuesit e këtyre vendeve.

Banorët e zonës përreth tregojnë se janë ankuar dhe në polici për këtë pallat në të cilin sipas tyre, nuk ka jetuar askush ndonjëherë por prej disa kohësh është plot me banorë e vizitorë të shumtë. Ata thonë se përveç mbeturinave, një shqetësim shumë i madh është se këta persona të paindetifikuar konsumojnë lëndë narkotike, dhe janë kthyer në rrezik për lagjen, sepse vjedhin dhe kanë djegur katin e dytë të këtij pallati të pabanuar.

Disa nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Eftali Koço”, të cilat ndodhen vetëm 10 minuta larg nga pallatit tregojnë se kanë frikë kur kalojnë pranë pallatit të braktisur.

Kamera e Fiks Fare u fut Brenda ambienteve të këtij pallati, ku ndotja ishte shumë e madhe. Grupi i xhirimit të Fiks Fare gjen brenda disa përdorues të lëndëve narkotike, të cilët fillojnë të bërtasin dhe kërkojnë që gazetarët të largohen.

Njëri prej tyre pranon të flas me gazetaren e Fiksit duke treguar se ishte përdorues i drogës prej shumë vitesh. ”Kam vite që konsumoj drogë, policia e di se çfarë bëjmë, asnjëherë nuk na kanë ndihmuar. Më kanë arrestuar, më mbajnë 2-3 muaj, pastaj më nxjerrin sërish jashtë. Nuk duhet të arrestohem unë, por shitësi i lëndëve narkotike”.

Gjatë kësaj kohe që po bisedonim me me të, persona të tjerë vijnë nga jashtë, të cilët duken që janë në një gjendje të rënduar. Njëri nga përdoruesit fillon dhe bërtet nga dhoma tjetër duke kërkuar qe ne të dalim jashtë.

“Kam kërkuar ndihmë që të reabilitohem, por asnjëherë nuk kam arritur që të pastrohem krejtësisht, pasi institucionet nuk na ndihmojnë”, reagon një djalë tjetër. AI mban në dorë një shishe uji të cilën tregon se e kishte përshtatur për te konsumuar ‘KRAK’. Sipas tij, kjo është një formë ndryshe e marrjes së kokainës nëpërmjet djegies me bidon, ose me llullë.

“Kam që në vitet ’90-’93 që jam përdorues i krakut. Nuk e kam problem. E dinë të gjithë që e konsumoj. Nuk dëmtoj askënd, përveç vetes. Nuk mund të heq dorë”, tregon ai.

Një prej përdoruesve na tregon se në një nga dhomat e këtij pallatit të braktisur ndodhet dhe një zonjë, Ana, përdoruese droge, por që ushtron prostitucion.

Ana: Policët janë klientët e mi

Kamera e Fiks Fare shkon në vendin që Ana e kishte përshtatur si banesë për veten . Tek dera na pret “ANA”, sipas saj emri i punës. Një grua 31 vjeçare, nënë e tre fëmijëve minorenë.

Ana tregon se është vetëstrehuar aty, pasi është e vetme dhe askush nuk ka mundësi ta ndihmojë “Fëmijët i kam lënë në jetimore sepse nuk dua t’i rris këtu. E kam rregulluar ambientin me gjëra që kam gjetur në mbeturina. Më kanë ndihmuar dhe përdoruesit që të rregulloj dhomën. Më kanë përdhunuar disa herë, kam vuajtur shumë në jetë dhe jam në këtë gjendje për shkak të familjes.”

Tregon se i gjen vetë klientët dhe se nuk ka tutor. Klientët e saj janë policë, deputetë.

Kur e pyesim nëse e ka kapur ndonjëherë policia qesh dhe thotë: “Policët?! Nuk më kanë bezdisur, madje disa prej tyre i kam klientë. Ata e dinë që unë jam strehuar këtu”.

Policia e Durrësit: E njohim atë bazë, kemi ndërhyrë disa herë.

Fiks fare kërkoi pranë drejtorisë së policisë vendore të Durrësit nëse kanë informacion për kthimin e pallatit të dëmtuar nga tërmeti në rrugën Aleksandër Goga në një strehë për përdoruesit e drogës

Në përgjigjen e saj, Drejtoria e policisë vendore Durrës tregon se ky është një objekt i njohur për ta, madje policia ka kryer kontrolle te vazhdueshme në atë pallat që nga maji deri në gusht të vitit 2024. Në përgjigjen e policisë thuhet se gjatë kësaj periudhe kanë arrestuar dy persona të cilët strehoheshin në pallatin e braktisur, pasi kishin thyer urdhrin e arrestit në shtëpi, janë shoqëruar dy herë disa përdorues të lëndëve narkotike, persona të cilët procedohen në gjendje të lirë nga Prokuroria dhe është kapur një shpërndarës i lëndëve narkotike.

Edhe pse policia ka kryer kontrolle periodike, askush nuk ka mundur që të mbyllë këtë strehëz për përdoruesit dhe as t’i largoje prej atij vendi që është kthyer në rrezik për banorët e lagjes./ Top Channel

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit