Transmetuar më 23-10-2024, 13:49

Duatrokitjet e “San Siros” bekuan rekordin e ri të parakohshmërisë për Francesco Camarda, shpresa e madhe e futbollit italian. Sulmuesi i Milanit, i cili hyri në vend të Morata në minutën e 75-të të fitores 3-1 ndaj Brugges, u bë futbollisti më i ri italian që ka luajtur në Champions League.

Në moshën 16 vjeç e 226 ditë, Camarda mposhti rekordin e mëparshëm, të cilin e mbante Moise Kean, i cili debutoi 16 vjeç e 267 ditë me Juventusin, në vitin 2016. Nga tribunat e stadiumit “San Siro” e duartrokitën edhe prindërit e tij, të prekur nga rekordi i djaloshit të ri. Camarda është edhe lojtari më i ri që ka luajtur ndonjëherë në Serie A (15 vjeç e 260 ditë, kur bëri debutimin e tij më 25 nëntor 2023 kundër Fiorentinës).

Menjëherë pas hyrjes së tij në fushë, në minutën e 88-të, talenti i Milanit shënoi me kokë, por gjyqtari gjerman Zwayer e anuloi atë për pozicion jashtë loje, pas sinjalizimit nga VAR-i. Camarda foli për “Sky” pas ndeshjes: "Rekordi më jep shumë krenari, të jem i sinqertë. Madje më shtyn të jap më shumë për t’u përmirësuar dhe bërë që netë të tilla të ndodhin më shpesh.

Goli i anuluar? Ishte emocioni më i madh i jetës deri tani, pastaj VAR-i bëri ma ngriu buzëqeshjen. Sidoqoftë, këto gjëra ndodhin, sidomos në futbollin e tanishëm. Kjo është dita më e mirë e jetës sime, nuk gjej fjalë për ta përshkruar. Kam ëndërruar për këtë që kur isha fëmijë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit