Në dukje, suficiti buxhetor është zhvillim pozitiv nëse do të kishte ardhur vetëm nga rritja e të ardhurave, por të dhëna të detajuara nga Ministria e Financave tregojnë se, akumulimi erdhi nga mosrealizimi i zërit të investimeve kapitale.
TIRANË- Teksa viti financiar 2024 është drejt mbylljes, balanca buxhetore në vend që të shkojë në deficit, por e zgjeron suficitin më tej, që nënkupton që të ardhurat që mblidhen nuk po arrijnë të shpenzohen.
Sipas ligjit të buxhetit 2024, në fund të 9-mujorit, deficiti buxhetor duhej të ishte -3,7 miliardë lekë (37 mln euro), çka do të thotë se shpenzimet duhet të ishin së paku 37 milionë euro më shumë se të ardhurat, por në realitet në fund të 9-mujorit, financat kanë akumuluar një suficit buxhetor 69.4 miliardë lekë (694 milionë euro).
Në dukje, suficiti buxhetor është zhvillim pozitiv nëse do të kishte ardhur vetëm nga rritja e të ardhurave, por të dhëna të detajuara nga Ministria e Financave tregojnë se, akumulimi erdhi nga mosrealizimi i zërit të investimeve kapitale.
Në periudhën 9-mujore, zëri i investimeve kapitale u realizua me rreth 47,7 miliardë lekë, në rreth 70 miliardë lekë që ishte plani i periudhës. Plani i shpenzimeve kapitale për të gjithë vitin është 150,5 miliardë lekë, ose 1.5 miliardë euro, ndërkohë që deri në fund të 9-mujorit është shpenzuar vetëm 31% e planit të shpenzimeve çka do të thotë se në tre muajt e fundit janë akumuluar për t’u shpenzuar 103 miliardë lekë ose mbi 1 miliard euro.
Mosrealizimi i programit buxhetor sipas programit të miratuar, përveçse i heq të drejtën qytetarëve të marrin në kohë përfitimet nga taksat që paguajnë, shkakton edhe disa implikime makroekonomike. Qeveria është një operator i madh në ekonomi dhe duke mos shpenzuar në kohë nxit forcimin e Lekut.
Nënçmimi i Euros ndaj Lekut është bërë shkaktari kryesor për rënien në sektorin e prodhimit, industrisë dhe për rrjedhojë edhe eksporteve. 69.4 miliardë lekët e “ngrira” në llogaritë e qeverisë, kanë ndihmuar që të ketë më pak lek në qarkullim dhe euro të bjerë me tej.
Duke përqendruar përdorimin e buxhetit në dhjetor, siç ka ndodhur vitet e fundit, efektiviteti i përdorimit të fondeve cenohet.
Gjatë 9-mujorit 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, buxheti realizoi 528,4 miliardë lekë të ardhura dhe 458,9 miliardë lekë shpenzime. Balanca buxhetore shënoi një suficit prej 69,4 miliardë lekë nga 51 miliardë lekë që ishte shtator 2024.
Në gjysmën e dytë të vitit, masa e suficitit buxhetor vinte në ulje për shkak se shpenzimet në këtë periudhë kanë vijimësi më të mirë, por këtë vit duket se situata në drejtim të shpenzimeve, sidomos investimeve publike, ka qenë më e ndërlikuar, përderisa sa suficiti buxhetor në vend që të ulet po fryhet më tej./MONITOR
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd