Transmetuar më 21-10-2024, 13:54

Këto janë pamjet e para që kanë dalë në media pas arrestimit të presidentit të PL, Ilir Meta.

Në foto shihet automjeti i Metës ndërsa e kanë rrethuar disa agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Meta është prangosur në zonën e Casa Italias në kryeqytet teksa po vinte drejt selisë së Partisë së Lirisë, ku do të zhvillonte një konferencë.

GJKKO ka firmosur urdhër arrest për Metën dhe masën detyrim paraqitje për bashkëshorten e tij, tashmë në divorc e sipër, Monika Kryemadhi.

NË PËRDITËSIM: Arrestohet Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish kryeministër, ish kryetar Parlamenti dhe ish President. Në foto shikoni momentet e arrestimit të Metës.

Masat e sigurisë janë lëshuar me kërkesë të prokurorit të SPAK Sotir Kllapi dhe vendim të gjyqtarit Erjon Çela.

Bëhet fjalë për hetimin pasuror të bërë pak kohë më parë nga SPAK ndaj familjes Meta.

Edhe në rastin e Ilir Metës është anashkaluar Kuvendi për t’i hapur rrugë arrestimit të deputetit Meta.

Noa.al konfirmon se deputeti Ilir Meta është arrestuar me urdhër të SPAK. Ai u vu në pranga nga disa punonjës të maskuar të Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe forca të policisë së drejtorisë rajonale Tiranë.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte duke shkuar në zonën e ish Bllokut ku gjendet godina e ish LSI, sot e Partisë së Lirisë.

Teksa gjendej pranë një qendre tregtare në hyrje të Tiranës, ai është ndaluar nga agjentë të BKH dhe forcat e drejtorisë së Policisë së Tiranës. Pjesa më e madhe e tyre ishin të maskuar.

Ata e kanë arrestuar dhe ndërsa pritej të dërgohej në selinë e drejtorisë policore të Tiranës, ende nuk dihet se ku ai ndodhet aktualisht, raporton noa.al.

Meta gjendej në automjet me shoferin dhe një truproje.

Meta ishte paraqitur tre herë në SPAK për hetimet ndaj tij dhe në këtë periudhë shpalli dhe divorcin me Monika Kryemadhin.

Meta, shumë vite edhe në poste ministrore, akuzohet paraprakisht për të ashtuquajturin skandali ÇEZ-DIA, për një lobim në vlerë 600 mijë dollarë në SHBA, si dhe është nën hetim për pasuritë e tij dhe familjes.

Nuk ka një njoftim zyrtar ende se cila është arsyeja e arrestimit të tij.

Aktualisht mediat janë në pritje të një njoftimi zyrtar.

Arrestimin e konfirmoi edhe ish kryeministri Sali Berisha i cili kur kishte ndodhur arrestimi ishte në konferencë për shtyp.

Berisha tha se persekutimi i Ilir Metës është politik. Kurse theksoi se Kryeministri Edi Rama është përpkjekur për eleminimin poilitik dhe fizik të Ilir Metës.

“Persekutimi i Ilir Metës është politik. Nuk kanë publikuar asnjë fakt, asnjë dokument, por ka zbatuar urdhrat e Edi Ramës i cili ësthtë përpjekur për eleminimin, politik e ndofta edhe fizik të Ilir Metës.

Kjo është përgjigja ime. Edi Rama është siç denoncova dhe radhën e kaluar me shumë të dhëna i implikuar në zhdukje të personave në mënyrë ekstra ligjore, antikushtetuese", deklaroi Berisha.

Hetimi i SPAK për dosjen CEZ-DIA

Dosja e CEZ-DIA është rihapur në prill të vitit 2022, pas një kallëzimi në SPAK nga Partia Socialiste, për vjedhje të parave publike.

Shitja e 75 % të aksioneve të OSSH tek CEZ-DIA u cilësua abuzive dhe prishja e kësaj kontrate i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 milionë euro.

Për këtë çështje deri më tani është dënuar Kastriot Ismailaj me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.

Stafi kishte njoftuar konferencë për media

Në ora 13:40, Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta do të ketë një konferencë për shtyp. Ftohen të gjithë gazetarët të marrin pjesë. Sinjali nga Fibra, Facebook dhe You Tube. Lutemi mediave, për transmetimin live.

/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit