Dymbëdhjetë emigrantët e parë që u vendosën në Gjadër, u rikthyen në Itali pasi Gjykata e Romës e hodhi poshtë vendimin për ndalimin e tyre.
Ajo argumentoi se këta refugjatë nuk mund të kthehen në vendet e origjinës, në Bangladesh apo Egjipt, duke i konsideruar ato si vende jo të sigurta.
Sipas Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, nuk është e mundur që qeveritë e vendeve anëtare të BE-së të dëbojnë emigrantët dhe kjo vlen edhe nëse kërkesa e tyre për azil refuzohet. Sipas lësaj gjykate, këta refugjatë nuk mund të dëbohen në vendet e treta ku ata rrezikojnë, qoftë edhe pjesërisht, dënime me vdekje, torturë ose degradim.
Qeveria italiane e sulmoi ashpër gjyqësorin për vendimin që dha kundër saj.
Sakaq Meloni ka nisur punën për "hakmarrje". Ajo është përfshirë në hartimin e një dekreti ligjor, i cili synon modifikimin e listës së vendeve të sigurta.
Kjo sepse lista, siç është aktualisht, e bën praktikisht të pazbatueshme marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët.
Në këtë mënyrë është e qartë se marrëveshja Rama-Meloni nuk ka parashikuar të tilla pengesa ligjore dhe juridike edhe pse ato u paralajmëruan nga opozita italiane dhe plot ekspertë.që folën në mediat e vendit fqinjë.
Më 7 maj 2024, me një dekret ndërministror, Italia krijoi listën e vendeve të origjinës së emigrantëve që janë të sigurta për Italinë, duke futur listën e përditësuar në një dekret ligjor.
Këshilli i Ministrave të Italisë po përpiqet ta zhdukë këtë pengesë ndaj pritet të mblidhet sot, (e hënë 21 tetor) në orën 18:00 për ta hequr dhe këtë pengesë.
Përkufizimi i “vendit të sigurt” është ajo që cilësohet prej saj si e meta që duhet rregulluar.
Ministri i Drejtësisë Nordio, tha: “Përkufizimi i një vendi të sigurt nuk mund të jetë përgjegjësi e gjyqësorit, është një vlerësim politik dhe brenda parametrave të së drejtës ndërkombëtare”.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, edhe ai ka mbrojtur marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët.
Pas vendimit të magjistratës së seksionit të emigracionit në gjykatën e Romës në Itali, Tajani tha se drejtësisë i takon të zbatojë ligjin dhe nuk mund ta ndryshojë atë.
“Demokracia bazohet në ndarjen trepalëshe të pushteteve: legjislativ, gjyqësor dhe ekzekutiv. Montesquieu na e mësoi këtë. Kjo është arsyeja pse i thashë dikujt në të majtë se do të bënte mirë të rilexonte Montesquieu.
Nëse një nga këto fuqi kalon kufirin e tij, ka një problem. Është problem institucional, nuk është problem i djathtë apo i majtë. Drejtësia duhet të zbatojë ligjin, nuk mund ta ndryshojë. Ai nuk mund të vendosë nëse një ligj është i drejtë apo jo. Janë ligje të miratuara nga Parlamenti.
Unë nuk jam kundër gjyqtarëve. Por reforma në drejtësi nevojitet urgjentisht. Ne duam që të ketë një ndarje të karrierës sepse sistemi duhet të gjejë një ekuilibër më të madh. Domethënë, pushteti i tepërt në duart e njërës palë, në këtë rast të gjyqësorit, çekuilibron gjithçka dhe prish këtë ekuilibër që është garanci e demokracisë.
Gjëja që e rëndon problemin është se në historinë tonë republikane ka pasur një politizim të tepruar të gjyqësorit. Kur gjyqësori lejohet të ketë një rrymë të lidhur me një parti politike, si mund të flasim për pavarësinë e gjyqësorit?", tha ai.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd