

“Gazzetta dello Sport” hapet në faqen e parë me fjalët ekskluzive të portierit zviceran Yann Sommer: "Interi im luan për gjithçka. Duam të fitojmë titullin e Serie A dhe Champions League, sepse besojmë në to".
Çfarë sezoni prisni në vazhdim?
Unë imagjinoj një sezon shumë të vështirë, të rivalizuar. Tashmë e kemi parë sa të fortë janë Juventusi dhe Napoli, por edhe ne e humbëm derbin, ndaj duhet kujdes.
Çfarë po ndodh me mbrojtjen e Interit?
Përgjigja është e thjeshtë dhe me një fjalë, që e kam mësuar mirë në Itali: Parandalo. Ne nuk i bëjmë mirë të tilla gjëra në shumë situata. Është një pikë shumë e rëndësishme, sezonin e kaluar kemi pasur gjithmonë masa të shkëlqyera parandaluese kur kemi zotëruar topin, kemi qenë gjithmonë kompaktë dhe të rregullt. Pra, ka qenë e vështirë për kundërshtarin të depërtonte në prapavijën tonë. Kjo është ajo që na duhet për t’u rikthyer në nivelin e duhur. Ne kemi shumë cilësi dhe do të shënojmë gjithmonë, por nëse pëson… I gjithë ekipi duhet të bëjë më mirë në mbrojtje, të jetë kompakt dhe i pozicionuar mirë, nëse humbet topin.
Cili është objektivi në sezonin e ri, a përfshihet edhe Champions League?
Është e mundur të arrijmë të njëjtat rezultate në të dyja frontet, falë ekipit që kemi. Natyrisht, nuk është e lehtë, kalendari është i mbushur me ndeshje, por maksimumi është objektivi ynë. Nuk mund të përjashtojmë asgjë. Trajneri ka një mentalitet të fortë fitues dhe kjo bën diferencën. Ai bën gjithçka që duhet për të fituar. Kur ndjen se nuk ekziston motivimi i duhur në stërvitje, ndërhyn dhe na shtyn. Gjithmonë duhet të punojmë deri në limite, ta stimulojmë njëri-tjetrin.
Cila do të jetë e ardhmja juaj?
Kontrata ime skadon në vitin 2026. Nuk e di se ku do të jem, nuk e kam menduar ende, por këtu në Milano ndihem i lumtur. Kam sfida të mëdha përpara, por për momentin nuk shoh veten askund tjetër. I kam fokusuar të gjitha energjitë e mia tek Interi.
A është e vështirë ta fitosh sërish titullin? Është e gjitha çështje mentaliteti. Nëse fiton, je i lumtur dhe pak i relaksuar. Ndoshta mjaftohesh duke fituar më pak se sezonin e kaluar, por në një nivel të tillë thjesht nuk mund ta lejosh këtë. Trajneri ynë na bën të punojmë shumë për ta luftuar këtë ndjenjë të pavetëdijshme të relaksimit dhe është një gjë e mirë. Duhet të bëjmë më shumë se sezonin e kaluar, sepse kemi rivalë të ashpër që duan të na parakalojnë. për të fituar përsëri duhet të japim 100%, asgjë më pak.
Një mendim për kapitenin tuaj, Lautaro Martinez…
Jam plotësisht dakord me Messin, ai e Meriton “Topin e Artë”. E takova Lautaron një vit e gjysmë më parë dhe menjëherë vura re personalitetin e tij të madh, shpirtin e duhur si kapiten dhe të qenit një golashënues i jashtëzakonshëm. Ne gjithmonë kemi nevojë për të.
Së shpejti riktheheni në Zvicër për Champions League…
Është bukur të kthehesh në shtëpi, nuk ndodh shpesh. Tani për tani Young Boys po kalon një moment të keq, sepse ka humbur pikë. Megjithatë, është një ekip interesant, pastaj luan në një fushë artificiale dhe më duket vërtet një botë tjetër kjo gjë. Ne duhet të jem shumë të përgatitur për një terren me bar sintetik.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






