Transmetuar më 16-10-2024, 22:35

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të mërkurën se gjendja e sigurisë në Ballkanin Perëndimorë është e brishtë, ndërsa Rusia vazhdon përpjekjet për të dëmtuar demokracitë në rajon.

Ai i bëri këto komente në prag të takimit dyditësh të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët siç tha, do të diskutojnë edhe operacionet e aleancës në Kosovë.

“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese me kërcënimet për ndarje në Bosnje e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimin e paktë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës“, tha sekretari Rutte në një konferencë për shtypin ne selinë e NATO-s në Bruksel.

Ai tha se përkushtimi i NATO-s ndaj misionit të saj paqeruajtës në Kosovë mbetet i fuqishëm. “Për më shumë se dy dekada KFOR-i ka ruajtur një mjedis të qetë dhe sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, tha sekretari Rutte.

Aktualisht mbi 4 mijë e 400 trupa të udhëhequra nga NATO-ja kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe përgjatë vitit që lamë pas, aleanca shtoi praninë e saj pas tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Sekretari Rutte tha se Rusia “po bën përpjekje për të penguar demokracitë në rajon nëpërmjet kërcënimeve hibride, përfshirë dezinformimin. Ajo po përdor brishtësitë e brendshme për të krijuar ndarje”.

Diplomacia perëndimore shpesh ka tërhequr vërejtjen se Rusia mund të provojë të nxisë konflikte në Ballkan për të tërhequr vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit