

Flojera Davidhi është magjistratja e zgjedhur me short për të gjykuar kreun e PD-së Sali Berisha. Gjykata e Posaçme hodhi shortin për të caktuar trupën gjykuese për dosjen ‘Partizani’ sot në orën 09:00.
Në bazë të shortit, gjyqtarja e GJKKO-së Flojera Davidhi do të gjykojë dosjen Partizani për të cilën Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv. Në listën e 10 gjyqtarëve nuk u përfshi emri i Irena Gjokës, e cila ka qenë trupë gjykuese prej tetorit të vitit të kaluar ku ka miratuar edhe masat e sigurisë, ndërsa ligji përcakton se nuk duhet të jetë më pjesë e procesit.
Prokuroria e Posaçme, më 15 Tetor ka mbyllur hetimet për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, duke dërguar për gjykim Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe noteren Andia Pustina.
Dosja tashmë i ka kaluar Gjykatës së Posaçme dhe Flojera Davidhi do duhet të vendosë nëse kalon ose jo për gjykim. Ish-kryeministri Berisha është i pandehur për korrupsion pasiv dhe akuzohet se ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Malltezi akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” dhe për “pastrim parash”.
Biznesmeni Fatmir Bektashi është i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan janë në akuzë për pastrim parash.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






