

Duhej të ishte ndeshja e tij, sepse rrethanat e sollën të luante titullar. Pastaj, vinte më i karikuar se kurrë, pas dy ndeshjeve pezullim dhe me disa gola të shënuar në klubin e tij. Në mungesë të Brojës, Uzunit dhe Manajt, radha i erdhi Mirlind Dakut për ta udhëhequr sulmin kuqezi ndaj Çekisë.
Megjithatë, kjo ndeshje u humb 2-0, si pasojë e një loje konfuze të kombëtares sonë, nga e cila nuk bëri përjashtim askush prej të besuarve të trajnerit Sylvinho. Ka vend për autokritikë dhe përmirësim të shpejtë, çka duket edhe në fjalët e Dakut, pas ndeshjes me çekët:
“Të them të drejtën e dimim që para ndeshjes se na pret një ambient shumë i nxehtë, duke marrë parasysh edhe ndeshjen që kemi luajtur në Tiranë. I kemi mundur çekët 3-0 atje dhe e dinim se na priste një transfertë e ashpër.
Sa iu përket shanseve, i kishim edhe sonte, i patëm dy të mira. Besoj se që po të ishim pak më syhapur, do ta merrnim të paktën një pikë. Tani na pret shumë shpejt transferta kundër Gjeorgjisë, duhet të jemi më vigjilentë dhe t’i shfrytëzojmë rastet tona.
Uën vij me dëshirën më të madhe të luaj këtu, nuk kursehem në asnjë moment për kombëtaren. Kalojmë pak ditë së bashku në kombëtare, nuk kemi aq mundësi ta njohim njëri-tjetrin në kushte loje. Fjala vjen, mua nuk më ka rastisur shumë që të luaj minuta me lojtarët këtu, ndaj bëhet më e vështirë se në klub. Shpresoj të vazhdojmë e tregojmë performanca të mira, besoj se do të vijnë edhe golat.
Nuk pata shumë mbështetje në sulm, sepse Laçi ishte pak larg nga unë. Nuk është as faj im, as i Laçit, i askujt, sepse Çekia ishte organizuar mjaft mirë për topat e dytë. Besoj se për një sulmues është më mirë kur ka një numër 10 pranë, sepse bëhet më efikas në topat e dytë.
Shpresojmë që t’i përirësojmë gabimet e bëra sonte. Ekipet kundërshtare futen medoemos për të na mposhtur, kjo tregon që jemi rritur si kombëtare. Kjo është pjesa që na bën krenarë. Në çdo vend ku luajmë, na vlerësojnë maksimalisht. Tashmë ndaj Shqipërisë nuk merret si e sigurt fitorja nga askush.
Taktikë tjetër? Këto gjëra i përkasin trajnerit, unë jam gati të jap maksimumin në minutat që luaj. Trajneri vendos nëse luajmë me dy apo një sulmues. Nuk kam çfarë them për këtë pjese, shpreoj që në ndeshjen tjetër të mos kemi nevojë për sulmes shtesë gjatë lojës, por ta mbyllim ndeshjen herët e pastaj të mbrojmë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






