

Gjatë konferencës për shtyp, Marash Kumbulla tha se dy kundërshtarët e radhës janë shumë të vështirë, por si gjithmonë kombëtarja do të futet në fushë për të fituar.
Qendërmbrojtësi kuqezi komentoi edhe formën e mirë që po kalon me ekipin e Espanyol në La Liga, si dhe konkurrencën e madhe në repartin e prapavijës në kombëtare.
Periudha e dëmtimit, sa e vështirë ishte?
Ajo periudhë ishte shumë e keqe për mua. Një vit e gjysmë pa luajtur, edhe pas dëmtimit, muajt në vazhdim nuk ishin shumë të thjeshtë. Gjatë verës zhvillova një fazë përgatitore shumë të mirë, kalova tek Espanyol dhe po i luaj të gjitha ndeshjet. Fizikisht ndihem shumë mirë, jam shumë i lumtur për këtë moment.
Po kaloni një formë shumë të mirë, së bashku me Ismajlin. Sa garanci jep kjo dyshe mbrojtëse në ndeshjet e radhës?
Jep garanci, por kjo nuk është vetëm punë e imja dhe e Ismajlit. Garancia më e madhe është puna e gjithë ekipit. Kemi shumë konkurrencë, jemi shumë të mirë si mbrojtës, jo vetëm në qendër, por edhe në krahë. Pastaj vendos trajneri, cilido që të luajë do të bëjë mirë.
Me sa pikë mendoni se kombëtarja është e kënaqur në këto dy ndeshje?
Ne do futemi në fushë si gjithmonë për t’i fituar ndeshjet. Tani mendojmë vetëm për Çekinë, është një ekip shumë fizik dhe i fortë në duele. Më pas do të flasim për Gjeorgjinë.
Pas golit me Espanyol, a presim një gol edhe me ngjyrat kuqezi?
Po e pres edhe unë, pasi janë shumë ndeshje pa bërë gol në kombëtare. Kam shumë dëshirë që të shënoj.
A ka ngacmime me nota humori mes teje, Ismajlit dhe Ajetit?
Nuk ka ngacmime, kombëtarja është e para. Nëse ekipi fiton, të tjerat vijnë mbrapa. Është normal që të gjithë lojtarët duan të luajnë, por e dimë që në kombëtare ka shumë konkurrencë. Janë të gjithë shumë lojtarë të mirë, të shohim zgjidhjet e trajnerit.
Dallimi mes kampionatit spanjoll dhe italian?
Kampionati në Spanjë është ndryshe nga ai në Itali. Është më shumë taktik, loja është e hapur me kundërsulme dhe duele. Jam përshtatur shumë mirë në këtë kampionat.
Nuk keni qenë në dy ndeshjet me Çekinë në kualifikueset e Europianit. Tani a jeni më i motivuar për fitoren?
Po, sigurisht. Të dyja ndeshjet i kam parë nga shtëpia. Siç e thashë edhe më para, me Çekinë do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ne jemi shumë të motivuar, edhe ekipi kundërshtar, gjithashtu. Presim një përballje shumë të vështirë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






