

Leonardo Bonucci është ende në kërkim të një roli të ri në futboll, pas lamtumirës së tij nga fushat e blerta si futbollist aktiv. Megjithatë, e kaluara e tij e afërt është ende e freskët në kujtesë. Një e kaluar e lidhur me Juventusin, me një parantezë te Milani dhe aventurë të re që mund të ishte, por nuk ndodhi: Manchester City.
"A jam kontaktuar ndonjëherë nga Pep Guardiola? Si më 2016, ashtu edhe më 2017, kur shkova te Milani. Natyrisht, në vitin 2016 nuk u realizua për një arsye; sepse Juventusi nuk do të më kishte shitur kurrë. Pastaj, edhe unë ndihesha mjaft mirë te Juventusi në atë kohë. Në vitin 2017, Montella dhe Mirabelli më telefonuan dhe më thanë: hajde këtu, do të bëhesh kapiten i skuadrës. Zgjodha Milanin, sepse nuk doja të largohesha nga Italia.
Shkova te kuqezinjtë sepse kisha pasur mosmarrëveshjen e famshme me Allegrin. Doja të qëndroja pranë shtëpisë për shkak të ngjarjeve të njohura, që kishin ndodhur me djalin tim. Nuk më pëlqente të shkoja jashtë vendit, sepse kur ndryshoni mjedis dhe klub ka gjithmonë pikëpyetje”, – shpjegoi Bonucci për transferimin e tij te “Djalli” dhe refuzimin dy herë të Manchester City.
Duke hyrë në detaje, ish-mbrojtësi i shquar italian shtoi: "Shkova te Milani sepse gjithsesi po fillonte një cikël i ri, me shumë nënshkrime. Mirabelli dhe Fassone bënë 12 përforcime merkaton e asaj vere. Dhe më pas, në fund të vitit, kur i gjithë ekipi u rrëzua, më thanë: nuk ka më shumë hapësirë për ju. Kësisoji, unë thashë që nëse duhet të largohem, pse të mos kthehem te Juventusi. Zgjedhja ishte e brendshme, mes meje, trajnerit dhe klubit bardhezi. Një energji që nuk rridhte më ashtu siç duhej të rridhte, por personi që mund ta ndryshoja këtë mund të isha vetëm unë”.
Për kthimin e tij në Torino: "Allegri kishte rinovuar pas finales së Champions League. Klubi dhe trajneri ishin në një mendje, vendosën rikthimin tim. Pra, në atë rast të gjithë ramë dakord që rrugët mund të bashkoheshin sërish, sepse nuk kishte asgjë e keqe. Në çdo rast kam menduar se do të ishte e vështirë për ta rivendosur gjithçka mirë, kur u afruam përsëri, por në fakt rezultoi më mirë se më parë, para largimit drejt Milanit”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






