Transmetuar më 07-10-2024, 11:08

KOSOVA- Shkalla e manganit në ujin e Liqenit të Badocit ka rënë, por pamjaftueshëm që ai të përdoret për pije, ka thënë të hënën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK). IKSHPK-ja tha në një shkrim në Facebook se ka vazhduar vëzhgimin e ujit për pije të Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina”, i cili vjen nga Liqeni i Badocit, pas rishfaqjes së vlerave të larta të manganit javën e kaluar.

“Gjatë analizave të kryera gjatë ditëve të fundjavës, vërehen ulje e vlerave të Manganit. Megjithatë, këto vlera ende janë më të larta se sa vlerat e lejuara për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, tha IKSHPK-ja.

IKSHPK-ja tha se udhëzimi i saj nga java e kaluar që uji nga ky liqen të mos përdoret për pije – por vetëm për pastrim – mbetet në fuqi derisa të bjerë vlera e manganit nën shkallën e lejuar. Edhe vitin e kaluar, IKSHPK kishte udhëzur mospërdorimin për pije të ujit nga ky liqen, për shkak të ngritjes së vlerave të manganit.

Ajo tha se ekipet e saj do të vazhdojnë të mbikëqyrin ujin e pijes nga Liqeni i Badocit edhe gjatë ditëve në vijim. Ekspertët kanë thënë se rritja e niveleve të manganit ndodh zakonisht kur ndërrohen stinët.

Mangani konsiderohet lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, përfshirë metabolizmin e kolesterolit, të glukozës e të karbohidrateve, në formim të kockave, në mpiksjen e gjakut, dhe në reduktimin e inflamacionit.

Por, kur sasia teprohet, sikurse me gjithçka tjetër, e mira bëhet e dëmshme. Uji i liqenit të Badocit, dhe ai i liqenit të Batllavës, përdoren për pije në rajonin e Prishtinës. Eksperti për ujërat, Skendër Bublaku, i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se rritja e niveleve të manganit në liqenin e Badocit – i krijuar në vitet ’60 – është rezultat i faktorëve natyrorë dhe njerëzorë.

“Fillimisht, ajo është një zonë relativisht e pasur me minerale. Liqeni e ka pasur një problem teknik prej fillimit, marrja e ujit bëhet relativisht ulët, afër fundit të liqenit. Dhe, kjo e bën gjithmonë problematike prezencën e metaleve në tokë, në krahasim me liqenet e tjera”./ REL

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit