Transmetuar më 06-10-2024, 12:50

KOSOVA- Një aksident i rëndë që la pas të paktën tre persona të vdekur ka ndodhur në rrugën Gjilan-Prishtinë, në Kosovë.

Viktimat janë identifikuar si Rifat Pacolli, Ardit Gashi dhe një i ri tjetër, Shpat, për të cilin ende nuk është konfirmuar mbiemri për shkak të mungesës së dokumenteve identifikuese.

Me ndihmën e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe ekipeve të zjarrfikësve, vetura së bashku me trupat e pajetë janë nxjerrë nga liqeni i Badocit.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës.

Mësohet se në këtë aksident është përfshirë një automjet.

“Mbrëmë rreth orës 23:00 në rrugën Gjilan -Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.

Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona.

Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë Ahmeti.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka shkruar në Facebook se me pikëllim të thellë mori lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre të rinjve në aksidentin në Liqenin e Badocit.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre të rinjve në aksidentin në Liqenin e Badocit.

Këto janë momente të rënda për familjet dhe të afërmit e tyre, dhe në këto çaste dhimbjeje, dua t’u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.

Lutemi që të gjejnë forcën për të përballuar këtë humbje të madhe. Ne jemi me ju në këtë moment të vështirë”, ka shkruar kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama në Facebook.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit