

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai nuk beson se do të ketë një "luftë gjithëpërfshirëse" në Lindjen e Mesme.
Kjo, pasi sipas tij Izraeli peshon opsionet për hakmarrje pas sulmit më të madh ndonjëherë të Teheranit ndaj armikut të tij kryesor.
Megjithatë, Biden tha se duhet bërë më shumë për të shmangur një luftë në Lindjen e Mesme, pasi ushtria izraelite goditi Bejrutin me sulme të reja ajrore në betejën e saj kundër grupit të armatosur libanez Hezbollah.
I pyetur nga gazetarët në Uashington se sa i sigurt ishte ai që një luftë e tillë mund të shmangej, Biden tha: "Sa i sigurt jeni që nuk do të bjerë shi? Shikoni, nuk besoj se do të ketë një luftë gjithëpërfshirëse. Unë mendoj se ne mund ta shmangim atë. Por ka ende shumë për të bërë, shumë për të bërë ende."
Ndërsa Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm 21-ditor në konfliktin Izrael-Liban, Biden tha se SHBA po diskutonte me Izraelin opsionet e veta për t’iu përgjigjur sulmit të Teheranit. Biden tha se sulmet që po synon Izraeli janë ndaj objekteve të prodhimit të naftës në Iran.
"Ne po diskutojmë këtë," u tha Biden gazetarëve.
Komentet e tij kontribuan në një rritje të çmimeve globale të naftës dhe rritja e tensionit në Lindjen e Mesme i ka bërë tregtarët të shqetësohen për ndërprerjet e mundshme të furnizimit.
E sakaq, Biden shtoi: "Nuk ka asgjë që do të ndodhë sot." I pyetur më vonë nëse ai po i kërkonte Izraelit të mos sulmojë instalimet e naftës të Iranit, Biden tha se nuk do të negocionte asgjë në publik.
Më herët, të mërkurën, presidenti tha se nuk do të mbështeste asnjë sulm izraelit në qendrat bërthamore të Iranit.
Të enjten, ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, i tha CNN se vendi i tij kishte "shumë opsione" për hakmarrje dhe se do t’i tregonte Teheranit fuqinë e tij "së shpejti".
Periferia jugore e Bejrutit, Dahiye, një bastion i Hezbollahut të mbështetur nga Irani, u vu nën sulme të rinovuara afër mesnatës të së enjtes pasi Izraeli urdhëroi njerëzit të largoheshin nga shtëpitë e tyre në disa zona, thanë banorët dhe burimet e sigurisë.
Sulmet ajrore kishin në shënjestër zyrtarin e Hezbollahut, Hashem Safieddine – pasardhësin e përfolur të liderit të vrarë Hassan Nasrallah – në një bunker të nëndheshëm, tha në X, reporteri i Axios, Barak Ravid, duke cituar tre zyrtarë izraelitë.
Fati i Safieddine nuk ishte i qartë, tha ai.
Ushtria izraelite nuk pranoi të komentojë.
Izraeli tha se Hezbollahu lëshoi rreth 230 raketa nga Libani drejt Izraelit të enjten.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






