

Milani del me zero pikë dhe shumë keqardhje nga përballja e Champions League kundër Bayer Leverkusen. Ajo që e bën edhe më të hidhur humbjen për kuqezinjtë, përveç traversës së Theos, është edhe penalltia e munguar në faullin ndaj Loftus-Cheek, në fund të ndeshjes.
Për trajnerin Paulo Fonseca, i cili foli për “Sky”, nuk ka dyshime: “Ishte penallti, ndërhyrja është dukshëm e palejuar. Për mua më e çuditshmja është se VAR-i nuk ndërhyri. Nuk më pëlqen të flas për arbitrat, nuk është një justifikim, por kryesori kurrë nuk hezitoi në vendimet e tij kundër nesh”.
Duke analizuar ndeshjen, Fonseca më pas shtoi: "Kjo ishte ndeshja që e kam shijuar më shumë, që kur kam marrë drejtimin e Milanit. Kryesisht në pjesën e dytë luajtëm një ndeshje fantastike, krijuam shumë, edhe pse nuk ishte e lehtë kundër një skuadre si Bayer Leverkusen. Jemi të trishtuar, të zhgënjyer nga rezultati, por duhet të jemi edhe të ekuilibruar, të kuptojmë se çfarë bëmë. Nuk jam i kënaqur me rezultatin, por me guximin tonë.
Pjesa e parë ishte e vështirë për ne, mbyllëm hapësirat në qendër, ndërsa ata krijuan raste në të djathtë. Në ato vështirësi nuk u mbrojtëm mirë. Leao u mundua ta ndihmojë Theo, por në realitet vuajtëm më shumë në krahun tjetër”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






