

TURQI – Serhat Akin, ish-futbollisti i Fenerbahçes, ishte sërish në lajm, por jo për arsyet më të mira, pasi ai u qëllua në këmbë.
Tani një komentator televiziv, ai po largohej nga një studio televizive në Beykoz, një lagje në rrethin e Stambollit, pas fitores së skuadrës së José Mourinhos ndaj Union Saint-Gilloise (2-1), në Evropa League, kur është goditur nga një individ me motoçikletë.
Ish-ndërkombëtari turk 43-vjeçar, një nga figurat e skuadrës së Stambollit në fillim të shekullit, për të cilin luajti 143 ndeshje, ndodhet i shtruar në spital, por është në gjendje të qëndrueshme.

Pasi i është nënshtruar tashmë një ndërhyrjeje të parë kirurgjikale në këmbë, ai do t’i nënshtrohet sërish operacionit në orët në vijim.
Menjëherë pas sulmit, Akin publikoi një fotografi të këmbëve të gjakosura në rrjetet sociale. “Më qëlluan në këmbë pas programit, por fjala jonë e fundit është Fenerbahçe”, ka shkruar ai, ndërsa Federata Turke ka dënuar sulmin.
“Ne dënojmë ashpër sulmin e tmerrshëm dhe urojmë shërim të shpejtë”, deklaroi ajo, ndërsa Fenerbahçe u shpreh: “Shpresojmë që autorët të dalin para drejtësisë sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





