

Ose e doni, ose e urreni. Kur bëhet fjalë për Antonio Cassano nuk ka gjysmë masa, falë një sinqeriteti që ka qenë gjithmonë “marka” e ish-sulmuesit italian.
Këtë herë ishte Cristiano Ronaldo, ai që përfundoi në deklaratat e bujshme të “Fantantonio”, i freskët nga kalimi i pragut të 900 golave në karrierë mes klubeve të ndryshme dhe kombëtares portugeze.
Një arritje e nënçmuar plotësisht nga Cassano, i cili foli gjatë transmetimit “Viva el Futbol” të drejtuar nga Daniele Adani: “Ronaldo ka qenë gjithmonë një anësor i majtë, por nëse e vendosni në mesin e sulmuesve, ai nuk di të luajë futboll.
Mburret duke thënë se shënova 900 gola. Vazhdo dhe shëno 3000 gola, por nuk luan futboll. Higuain, Aguero, Lewandowski, Benzema, Ibrahimovic dhe Suarez dinin të luanin me shokët e tyre dhe me ekipin. Ata dinin të bënin shumë gjëra të tjera, jo vetëm gol, gol, gol”.
CR7 e ka nisur sezonin mbarë, duke shënuar 5 herë në 6 paraqitjet sezonale me fanellën e Al-Nassr, ku aktualisht drejtohet nga ish-trajneri i Milanit, Stefano Pioli. Padyshim, ndikim pozitiv pati edhe në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Ronaldo shënoi në dy ndeshjet në shtëpi, të luajtura nga Portugalia kundër Kroacisë dhe Skocisë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





