Transmetuar më 26-09-2024, 11:42

Ka mbërritur propozimi i radhës për të ardhmen e futbollit: Të mos ketë më barazime, për ta bërë më emocionues këtë sport, që po i largon të rinjtë. Propozimi interesant vjen nga Gary Neville, ish-mbrojtësi i Manchester United dhe Anglisë, i cili e sqaroi idenë e tij gjatë transmetimit “The Overlap”, në shoqërinë e Roy Keane dhe Jamie Carragher:

“Në fund të ndeshjeve të kampionatit, në rast barazimi do të aplikoja penalltitë, të cilat duhet t’i japin fituesit nga pika e bardhë një pikë shtesë. Pra, ekipi fitues përmes penalltive, pas barazimit në kohën e rregullt, do të merrte dy pikë: një për barazimin dhe një për triumfin nga pika e bardhë.

Ky rregull do ta bënte futbollin më emocionues për një tifoz që shkon në stadium. Nëse një fëmijë shkon për të parë një ndeshje për herë të parë në stadium, ose nëse shkon vetëm një herë në të gjithë sezonin, ai mund të mos shohë një fitues, nëse ndeshja përfundon 0-0 ose 1-1”.

Gary Neville ishte mbrojtës i djathtë i Manchester United nga vitit 1992 deri më 2011, duke luajtur gjithë karrierën e tij me klubin nga “Old Trafford”. Ai fitoi 8 tituj të Premier League, 2 Champions League dhe shumë trofe të tjerë, duke u bërë një nga lojtarët më të dekoruar në historinë e futbollit anglez.

Duke luajtur mbi 600 ndeshje për Manchester United, ai ishte i njohur për përkushtimin, inteligjencën taktike dhe lidershipin, madje duke u bërë kapiten i ekipit. Pas daljes në “pension”, Neville filloi një karrierë si komentator televiziv, duke kontribuar më tej në botën e futbollit me analizat e tij të sakta dhe opinionet e forta.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit