Transmetuar më 24-09-2024, 10:58

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i është rikthyer projekt rregullores së diskutuar që në vitin 2021 për të diferencuar çmimet e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve.

Projekt rregullorja e re do të caktojë çmime të ndryshme sigurimi për automjetet duke u bazuar në disa faktorë. Faktorët janë mosha e mjetit, fuqia motorike, qarku ku është regjistruar makina, lloji i makinës nëse është elektrike apo me lëndë djegëse, mosha e zotëruesit të mjetit dhe përvoja në timon dhe historiku i aksidenteve të tij.

Ligji i miratuar që në vitin 2021 u mundësonte kompanive të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve që të aplikonin tarifa të ndryshme për drejtuesit e mjeteve me historik të rënduar aksidentesh. Por, kompanitë e sigurimeve deklaruan në atë kohë se nisma ishte e parakohshme për tregun shqiptar.

Tregu i sigurimit të mjeteve të transportit zë pjesën e luanit në tregun e përgjithshëm të sigurimeve. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se nga janari deri në korrik të këtij viti sigurimet e makinave zënë 66 për qind të totalit të tregut.

Po në këtë raport, AMF thotë se në shtatë muajt e parë të këtij viti kompanitë e sigurimeve paguan 3.4 miliardë lekë si dëmshpërblim ndaj aksidenteve, shifër kjo me rritje gati 21 për qind më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit