Transmetuar më 24-09-2024, 10:09

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për 1-vjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku humbi jetën efektivi i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kurti në një reagim në Facebook ka kujtuar heroin Bunjaku, duke shtuar se ai u vra në mbrojtje të sovranitetit dhe të integritetit të shtetit të Kosovës.

Po ashtu, Kurti përmendi vendimet e marra një ditë më parë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ndër të cilat edhe emërimin e rrugës rajonale R-217 segmenti: Ballaban-Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës “Afrim Bunjaku”.

“Në mbledhjen e 221-të të Qeverisë, ndër vendimet tona kryesore ishte emërtimi i Rrugës Rajonale R-217 segmenti: Ballaban – Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës ‘Afrim Bunjaku.

Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, shkruan Kurti.

Kujtojmë se më 24 shtator 2023, pjesëtari i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, kur disa persona të armatosur sulmuan policinë në fshatin Banjskë, zonë e banuar kryesisht nga serbët në veriun e Kosovës. Sulmi u cilësua një akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe është dënuar nga diplomatët perëndimorë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit