Transmetuar më 23-09-2024, 23:35

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) njoftoi të hënën se nuk do të lejohet ngritja e të ashtuquajturit shteti bektashi që shpalli këto ditë Edi Rama nga Nju Jorku.

KMSH sqaron publikun se feja islame ku bëjnë pjesë myslimanët është mazhoritare në vend dhe shton se pjesë e KMSH janë dhe disa tarikate, mes tyre, bektashinjtë dhe si rrjedhojë ky sekt nuk mundet dhe nuk do të veprojë më vete.

Deklarata e KMSH vjen një ditë pasi kreu bektashian shqiptar i njohur si baba Mondi, njoftoi mediat me deklaratë publike se kishte nisur de facto punën për shtetin bektashi duke njoftuar publikun me faqen e internetit shtetibektashi. Për më tepër që baba Mondi në intervistë televizive ka deklaruar se bektashinjtë sipas tij janë 50 për qind e shqiptarëve dhe se myslimanët janë vetëm 21 për qind, një deklaratë kjo që më së paku është e papërgjegjshme.

Por këto zhvillime, të cilat po bëhen të rrezikshme me nismën e re, kërkojnë një ndërhyrje të shpejtë, të qartë dhe të prerë. Pikërisht këtë duket se ka pasur parasysh KMSH kur bëri publike deklaratën e mëposhtme:

"Nisur nga interesi i lartë i besimtarëve, mediave, dhe opinionit publik, lidhur me hapjen e diskutimit për themelimin e “Sovranitetit të Urdhërit Bektashi” në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë deklarohet sa më poshtë vijon:

Komuniteti Myliman i Shqipërisë është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri.

KMSH ka tre komponentë themelorë mbi të cilët ushtron veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë për mbi një shekull, të cilat janë:

1-Kurani Famëlartë, fjala e Zotit të Gjithësisë,

2-Tradita Profetike,

3-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për “Islam modern” apo “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë.

Këto terma nuk kanë asnjë lidhje me Islamin si fe, e cila është fe universale dhe bazohet mbi Kuranin dhe Traditën Profetike dhe respekton kushtetutat e ligjet në çdo vend ku bën pjesë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni nën obrellën e të cilit kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë të përfaqësuara të gjitha tarikatet derivate.

Ky ka qenë edhe qëllimi i dijetarëve myslimanë të cilët kanë punuar për një Shqipëri të pavarur, laike dhe multi fetare.

Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend.

Ky komunitet nuk e ka cilësuar kurrë harmoninë e dialogun si “domain” të tijin, pasi kjo vlerë e jashtëzakonshme që ekziston në vendin tonë është kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë.

Në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Të gjitha fetë abrahamike në thelbin e tyre kanë si qëllim t’i shërbejnë rrugës së Zotit dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri, siç bëjnë prej mijëra vjetësh.

Kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Sa më lart sqaruam, ne sigurojmë besimtarët myslimanë në Republikën e Shqipërisë se do t’i përfaqësojmë ata dhe çdo besimtar të cilitdo tarikati, ashtu siç kemi bërë deri më sot, edhe në vijim.

Ne do të vijojmë ta ndjekim me vëmendje këtë çështje dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë."

Më herët më 21 shtator New York Times njoftoi risinë e shpallur nga Rama. Dukshëm e painformuar për realitetin shqiptar dhe përkatësitë fetare, gazeta thotë se "Kleriku mysliman përgatitet të udhëheqë atë që, nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, do të bëhet shteti më i vogël në botë".

Në të vërtetë, kreu klerik mysliman në Shqipëri është kryetari i KMSH, institucioni që përfshin dhe sektin bektashi.

Gazeta nxjerr planet që ka ky pseudoshtet, ku mbizotërojnë alkooli dhe femrat me çfarëdo veshje: "Shteti mysliman i shpresuar në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit që do të kontrollojë territorin me madhësinë e pesë blloqeve të qytetit të Nju Jorkut dhe do të lejojë alkoolin, t’i lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe të mos imponojnë rregulla të stilit të jetesës.

Por edhe këtu ka një mosnjohje të fesë islame nga gazeta, sepse dihet se në Islam alkooli është i ndaluar.

Por për bektashinjtë me në krye baba Mondin kjo nuk është problem. Ai citohet nga gazeta: “Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen”, tha kleriku Edmond Brahimaj, i njohur nga ndjekësit si Baba Mondi, duke shpjeguar se si synon të sundojë mbi një copë toke prej 27 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta kthejë në një shtet sovran me administratën e saj, pasaportat dhe kufijtë".

E ndërsa Baba Mondi e ka nisur punën për pseudoshtetin, Edi Rama u bë kryefjalë e medias botërore pasi shpalli në NYT shtetin e ri. :Kryeministri shqiptar Edi Rama thotë se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi", shkruan gazeta amerikane.

/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit