Transmetuar më 21-09-2024, 22:37

“Na ka befasuar”. Ky ishte komenti i parë që Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj bëri në lidhje me lajmin që qarkullon prej paradites së sotme për krijimin e një mikroshteti si ai i Vatikanit në Tiranë.

Interesit të mediave për të mësuar se si do të funksionojë shteti sovran, për të cilin kryeministri Edi Rama tha në “New York Times” se do jetë rreth 11 hektarë dhe do të ketë pasaportën e tij, Baba Mondi iu përgjigj duke thënë se nisma është plotësisht e ideuar dhe propozuar nga shefi i qeverisë shqiptare.

“Lajmi se Shqipëria mund t’i japë sovranitet Urdhrit Bektashi për pavarësi territorial na ka befasuar. Ne nuk e kemi kërkuar dhe nuk pretendojmë të krijojmë një shtet Mysliman. Nisma është tërësisht e kryeministrit Rama. Nuk jemi pyetur, mbi ato që Kryeministri ka deklaruar në ‘The New York Times’”, tha Baba Mondi për A2.

Sakaq, prestigjiozja amerikane shkruante se bëhet fjalë për një enklavë sipas modelit të Vatikanit, por katër herë më e vogël, çka do të thotë se Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi do jetë shteti më i vogël në botë.

Sipas kryeministrit Edi Rama ky shtet do të ketë për synim promovimin e tolerancës fetare, por Kryegjyshi i Bektashinjve nënvizoi se në territorin e tij do të lejohet alkooli dhe femrat do të veshin çfarë të duan, pasi nuk do ketë rregulla për stilin e jetesës.

“Zoti nuk ndalon asgjë; kjo është arsyeja pse na dha mendje. Të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe mirësjellje”, tha Baba Mondi për gazetën “New York Times”.

Ndërkohë mësohet se një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë legjislacionin përkatës.

“Deri më tani, Edi Rama, një katolik jopraktikant, tha se vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt e dinë për planin dhe aleatët e NATO-s si Shtetet e Bashkuara nuk janë konsultuar”, thekson gazeta.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit