Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë një deklaratë të fortë gjatë stërvitjes ushtarake “Flamuri 2024,” e organizuar me rastin e Ditës së Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar Serb.
Ushtria serbe ka ekspozuar një arsenal të gjerë pajisjesh ushtarake në aeroportin ushtarak “Kolonel-Pilot Milenko Pavloviç,” ku Vuçiç u shpreh krenar për fuqinë ushtarake të vendit.
Duke theksuar rritjen e kapaciteteve ushtarake, Vuçiç tha se Serbia është një nga fuqitë më të forta ushtarake në Europë, për sa i përket numrit të tankeve dhe pajisjeve operacionale. Ai vuri në dukje se Serbia tashmë ka një numër të konsiderueshëm tankesh, radarësh dhe raketash, duke e bërë ushtrinë e saj ndër më të armatosurat në kontinent, në raport me numrin e banorëve.
“Ne sot krenarisht disponojmë shumë tanke, radarë të rinj dhe raketa moderne. Serbia është ndër të parët ose të dytët në Europë për nga numri i tankeve operacionale,” deklaroi Vuçiç, duke shtuar se një pjesë e madhe e pajisjeve ushtarake prodhohet brenda vendit.
Këto komente vijnë në një periudhë tensioni në rritje, sidomos në lidhje me marrëdhëniet e ndërlikuara mes Serbisë dhe Kosovës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd