Transmetuar më 16-09-2024, 22:00

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski është shprehur se heqja e mbishkrimit shqip në pikën kufitare Bllacë, ishte pjesë e planit për destabilizim.

Ai thotë se faji për këtë vepër nuk është te ndonjë institucion i caktuar, por te strukturat kriminale që me vite janë pasuruar në kurriz të qytetarëve. Sipas tij, këto veprime bëhen për shkak të panikut në të cilin ndodhen struktura të caktuara, të cilët sipas tij, kanë marrë informacione se hetimi u është afruar.

“Cili institucion është nuk e di, mendoj se nuk është institucion, por se është pjesë e atij planit për destabilizim të atyre strukturave kriminale që në vitet e kaluara u pasuruan në kurriz të qytetarëve. Të atyre kriminelëve politik që pak nga pak kanë luajtur me institucionet, kanë dhënë licenca për videolotari të joligjore, lotari online dhe kështu me rradhë. Mendoj se ata tani janë të frikësuar sepse e dinë, marrin informacione se si ngadalë hetimi afrohet drejt tyre dhe ata të frikësuar tani reagojnë në këtë mënyrë, tentojnë ta destabilizojnë shtetin por, nuk kanë sukses“, tha Mickoski.

Arben Taravari nga Vlen, tha se rasti është dramatizuar pa nevojë, ndërsa kishte për qëllim vetëm heqjen e vëmendjes nga vendimi i Gjykatës së Apelit që t’ia kthejë vulat e partisë, krahut të Taravarit. Arsye tjetër për heqje të vëmendjes sipas Taravarit, ishte konferenca e së njëjtës ditë, ku u shpalosën parregullsitë e ish-funksionarëve të BDI-së.

Të shtunën opozita shqiptare reagoi për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe nga vendkalimet kufitare dhe zëvendësim të tyre me të reja, të cilat ishin vetëm në gjuhën maqedonase, angleze dhe frenge. Më pas tabelat u hoqën përsëri dhe u kthyen me mbishkrim shqip.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit