TIRANË- Ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano është shtruar sërish në spital. Noa.al raporton se lideri historik i PS-së prej disa orësh ndodhet në një spital privat në Tiranë dhe shkak për shtrimin e tij është bërë thyerja e këmbës.
Burime zyrtare nga rrjeti i Spitalit Amerikan ku bën pjesë edhe spitali Hygeia ku është shtruar z.Nano thanë për noa.al se ish kryeministri ka pësuar një frakturë dhe është shtruar ditën e sotme në këtë spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Të njëjtat burime thanë se ditën e nesërme 12 shtator, z.Nano do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbën e majtë ku ka pësuar frakturë pasi rrëshkiti nga shkallët ndërsa ishte duke u rehabilituar në kushte shtëpie përmes fizioterapisë.
Gjendja e tij paraqitet aktualisht e qëndrueshme, thanë për noa.al të njëjtat burime.
Kjo nuk është hera e parë që ish-kryeministri është shtruar në spitalin e njëjtë privat, Hygeia.
Një vit më parë Nano, pas një komplikacioni me mushkëritë ka qëndruar për disa javë i shtruar në spital, ku për pak kohë ka qenë në intubim për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd