

Një tjetër sukses për Italinë në Ligën e Kombeve. Pas fitores me përmbysje ndaj Francës, kombëtarja italiane mundi 2-1 edhe Izraelin. Tashmë e sheh veten me pikë të plota në grupin 2 të kompeticionit, ku aktualisht është e vetme në komandë.
Si rrjedhim, shenja të tjera pozitive vijnë nga kursi i ri i axurrëve, me Luciano Spallettin që po rindërton kombëtaren pas zhgënjimit të madh të Kampionatit Europian të Gjermanisë. I intervistuar në mikrofonat e “Rai Sport”, menjëherë pas ndeshjes, njëshi i pankinës italiane bëri këtë analizë:
“Ne e bëmë punën në mënyrë të shkëlqyer, sepse të gjitha rreziqet që kishim frikë në pjesën e parë ishin të të evitueshme. Pritëm momentin e duhur për ta goditur kundërshtarin. Pashë një ekip më se të pjekur, shumë të mirë nga pikëpamja taktike.
Nga pikëpamja taktike, djemtë ishin shumë të mirë në njohjen e pozicioneve. I vendosa në pozicione si me klubet e tyre përkatëse. Ndonjëherë ata e gjejnë veten me sy mbyllur dhe veçanërisht në pjesën e dytë e bënë më së miri këtë. Këtë cilësi e treguam në driblim dhe zotërimin e topit.
Skuadra u tregua shumë e pjekur, pavarësisht moshës së re. Kishte vështirësi në ‘trafikun’ e gjysmës së fushës, gjithçka ishte shumë më e dendur dhe e mbyllur. Nuk ishte e lehtë. Duhej të qëndronim në ekuilibër, të godisnim me kundërsulme, sepse Izraeli luajti shkëlqyeshëm, me frekuencë dhe cilësi. Ne ishim shumë të mirë për të vuajtur, krijuam disa mundësi. Ajo që duhet theksuar është thellësia e pjekurisë së këtyre djemve të rinj. Në pjesën e parë mosha mesatare e Italisë ishte vërtet e ulët”.
Frattesi, edhe kur nuk e sheh veten në veprime, bën një punë të rëndësishme. Gjithmonë e ndihmon ekipin, iu mundëson bashkëlojtarëve të jenë superiorë. Ai ka aftësinë për t’u gjendur gjithmonë në vendin e duhur. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne.
Bilanci i këtyre 8 ditëve? Do të jenë të gjitha reflektime shumë pozitive. Ky grumbullim ishte shumë i menduar, kam menduar për të gjatë gjithë verës. Doja një ekip më të ri dhe të freskët fizikisht, përgjigjet ishin perfekte, ato që prisja. Ndryshova diçka dhe ekipi tregoi cilësitë që prisja. Luajtëm dy ndeshje shumë të mira, tani duhet vetëm të forcojmë idenë fillestare dhe të jemi të kujdesshëm në konsolidimin e grupit”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






