Transmetuar më 09-09-2024, 22:47

Më në fund, pas shumë vitesh të tejzgjatur Bashkimi Evropian ka caktuar muajin tetor 2024 për të çelur me Shqipërinë, kapitullin e parë të anëtarësimit në BE, atë për të drejtat themelore të njeriut.

Lajmin e bëri të ditur eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi në Budapest, sot gjatë Konferencës Ndërparlamentare për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) dhe Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP).

“Shqipëria ka bërë reforma të thella, veçanërisht në drejtësi, ndërkohë që nuk ka kushte të tjera nga vendet anëtare të BE-së”, deklaroi ai.

Varhelyi pohoi se "sa më shpejt t’i integrojmë plotësisht vendet e Ballkanit, aq më i fortë dhe më i qëndrueshëm do të jetë stabiliteti në kontinentin evropian" dhe shtoi:

“Në këto vite kemi marrë vendime të rëndësishme për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke mbajtur me to konferencat e para ndërqeveritare.

Muajin e ardhshëm presim të hapim kapitullin e parë të negociatave për çështjet bazë me Shqipërinë dhe ndoshta edhe me Maqedoninë e Veriut, në varësi të miratimit të ndryshimeve kushtetuese”.

Eurokomisioneri tha se Bashkimi Evropian ka hartuar dhe zbatuar instrumente, si plani i rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh për të përshpejtuar integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit