Ekspertët paralajmërojnë se dietat kufizuese nuk janë aspak të dobishme
Ka shumë arsye pse ekspertët janë kundër dietave kufizuese. Këto janë dieta në të cilat njeriu konsumon më pak kalori sesa nevojat e tij për energji, kufizojnë grupet ushqimore ose lëndët ushqyese, thekson Jennifer Rollin, themeluese e Qendrës për Çrregullime të Ushqimit në Rockville, Maryland, SHBA, citon noa.al.
Dieta të tilla është e pamundur t’i përmbahemi. Ato mund të mos plotësojnë nevojat tona për kalori dhe lëndë ushqyese, ose të çojnë në një marrëdhënie jo të shëndetshme me ushqimin dhe trupin, paralajmëron Rollin.
Si mund ta dallojmë nëse dieta jonë është kufizuese apo thjesht po bëjmë zgjedhje duke pasur parasysh shëndetin tonë?
Ka disa rregulla të përgjithshme. Për shembull, nëse i bazojmë zgjedhjet tona në shpresën për të humbur peshë ose nëse heqim grupe të tëra ushqimore, atëherë ndoshta po ndjekim një dietë kufizuese, thotë Natalie Mocari, një nutricioniste në Charlotte, Karolina e Veriut.
Nëse kjo nuk është e qartë, ka tre pyetje që mund t’i bëjmë vetes në lidhje me dietën tonë, këshillojnë Rollin dhe Mocari.
Sa shpesh mendoni për ushqimin?
Një mënyrë për të vlerësuar dietën tonë është të marrim parasysh sa shpesh mendojmë për ushqimin.
Kur ndjekin një dietë kufizuese, njerëzit priren të fiksohen për atë që kanë ngrënë, çfarë do të hanë dhe ndihen të turpëruar pasi të kenë ngrënë, thotë Mokari.
Për shkak të kufizimeve, shoqërimi mund të bëhet më pak argëtues dhe vaktet mund të mos ofrojnë të njëjtën kënaqësi. Ushqimin nuk duhet ta mendojmë në këtë mënyrë, thekson dietologia.
Sa të disiplinuar jeni?
Një tregues tjetër i mirë është se sa fleksibël jemi kur bëhet fjalë për dietën tonë, vëren Rollin.
“Ka një ndryshim mes asaj që preferojmë të hamë apo dietës që na bën të ndihemi mirë dhe një sërë rregullash strikte që duhen ndjekur”, shpjegon ajo, duke paralajmëruar se kjo e fundit shpesh shkakton faj dhe turp.
Për shembull, nëse po përpiqemi të pakësojmë djathin, një mënyrë është të themi se nuk do ta hamë më kurrë. Por është më mirë të shtojmë fruta, perime dhe arra në pjatë në mënyrë që të hamë më pak djathë.
“Në vend që të shqetësoheni për atë që mund të përjashtoni, shikoni çfarë mund të shtoni”, thekson Rollin.
Mund të hani pak e nga pak
Mokari zakonisht ndjek rregullin 80-20 me klientët e saj. 80% të rasteve fokusohen në ngrënien e ushqimeve që u nevojiten për një dietë të caktuar dhe 20% të rasteve për ushqimet që ndjeni më shumë kënaqësi.
Nëse ndiheni sikur nuk mund ta kontrolloni veten me disa ushqime, mund të jetë një shenjë se jeni duke mbajtur një dietë shumë kufizuese, vëren Rollin.
Kjo mund të nënkuptojë që ju ose nuk e lejoni veten ta hani atë ushqim, ose ndiheni keq apo edhe të turpëruar pasi e keni ngrënë. /noa.al
Foto: UNSPLASH
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd