Transmetuar më 06-09-2024, 15:10

Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës ditën e sotme, nën akuzë për trafikim lëndësh narkotike.

Në pranga ka rënë një 27-vjeçar dhe një 20-vjeçar, të cilët akuzohen se shisnin dhe blinin drogë në zonën e Liqenit Artificial në kryeqytet. Mësohet se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike dhe shuma parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Ndërkohë, tashmë çështja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Liqeni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 1. Arrestohen në flagrancë dy shtetas. Sekuestrohen dozat me kanabis, gati për shitje, dhe shuma parash të përfituara nga ky aktivitet kriminal.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Liqeni”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit M. O., 27 vjeç, dhe K. S., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Shërbimet e Komisariatit Nr. 1, kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin M. O., të cilit gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, dhe nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këto doza i kishte siguruar nga shtetasi K. S. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi K. S., pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e shiste atë në zonën e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike dhe shuma parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit