

DHËRMI- Një 35-vjeçar është arrestuar në Dhërmi për posedim dhe shitje kokaine. Mësohet se K. D 35 vjeç, pasi siguronte kokainën, e ndante në doza dhe më pas e shiste në lokalet e natës.
Në dhomën e hotelit të tij u gjetën dhe sekuestruan 100 doza kokaine, 31 000 lekë, 100 paund dhe 215 euro, një celular, një peshore elektronike, qese për ambalazhimin e dozave të lëndës narkotike dhe një automjet tip “Volkswagen”.
‘Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në kuadër të veprimeve intensive operacionale të megaoperacionit antidrogë mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte lëndë narkotike dhe i shitste ato kryeshisht në lokalet e natës, në Dhërmi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Parts 30”.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi K. D., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në dhomën e hotelit, ku qëndronte ky shtetas, në Dhërmi, shërbimet e Policisë gjetën rreth 100 doza kokaine, 31 000 lekë, 100 paund dhe 215 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, të cilat u sekuestruan së bashku me një celular, një peshore elektronike, qese për ambalazhimin e dozave të lëndës narkotike dhe një automjet tip “Volkswagen”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme’, njofton policia.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






