

Policia e Elbasanit ka arrestuar Ervis Dervishi, vëllanë e Altin Dervishit i cili prej një viti ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet se kanosi Aleko Ferhatin që ai t’iu jepte 200 000 euro.
Kërcënimet ndaj një sipërmarrësi 34-vjeçar të cilit i kërkonin 200 mijë euro, sipas policisë kishin të bënin me prishjen e pazareve të drogës.
"Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional "Sundimi i ligjit", për kapjen e shtetasve në kërkim, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, bazuar në inteligjencën informative, ndaloi shtetasin në kërkim E. D., 32 vjeç, banues në Belsh.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", kryer në bashkëpunim, dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Shtetasi Ervis Dervishi, më datë 12.08.2023, në bashkëpunim me vëllanë e tij (i arrestuar më parë, në kuadër të operacionit "Pressure"), dyshohet se kanë kanosur një shtetas 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 000 euro, që dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit", thuhet në njoftimin e Policisë.
Familja: Djali ynë është dorëzuar vetë në polici.
Familja e djalit të dyshuar, pohon se Ervisi është vetëdorëzuar në polici për të vijuar me shqyrtimin gjyqësor mbi akuzën që pretendohet ndaj tij.
"Djali ynë është dorëzuar në polici, nuk ka pasur asnjë operacion për kapjen e tij”, deklarojnë familjarët e të riut në një prononcim për noa.al.

Ata dërguan pranë redaksisë së noa.al dokumentin ku provohet vetëdorëzimi ndërsa më poshtë shikoni dhe pamje të momentit kur i riu shkon në polici.
Ndërsa shtojnë: "Ne kemi besim te drejtësia dhe djalin e kemi dorëzuar vetë me vullnetin tonë sepse besojmë në drejtësinë e këtij vendi". /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






