Durrës, 4 Shtator 2024/noa.al- Krim i shëmtuar ai që ka ndodhur në Shënavlash të Durrësit ku për 75 mijë euro është marrë jeta e një burri nga i biri që e vrau me pistoletë, fshehu trupin dhe më pas e denoncoi si të zhdukur duke kërkuar ndihmën e policisë.
Esmerald Balla, 30 vjeç, kallëzoi që më 13 gusht në Polici se babai i tij 62 vjeçar Enver Balla ishte larguar nga banesa dhe se kishte humbur kontaktet me të.
Policia, pas tri javësh hetime të thelluara dhe pas kërkimeve, zbardhi ngjarjen dhe gjeti sot trupin e 62-vjeçarit.
Policia vuri në pranga 30-vjeçarin, i cili u zbardh se kishte vrarë me armë zjarri pistoletë babanë dhe e kishte hedhur në një pus.
Policia tha se gjeti dhe sekuestroi armën me të cilën 30-vjeçari kreu vrasjen.
Në një komunikatë policia tha pasditen e sotme se Esmerald Balla, 30 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, Durrës, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej mëngjesit të datës 13.08.2024, babai i tij, Enver Balla, 62 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, ishte larguar nga banesa, me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.
Gjithashtu, i riu ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.
Djali tjetër i Ballës, shtetasi A. Balla, pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i ka shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij.
Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime.
Strukturat hetimore të DVP Durrës, duke qenë para këtyre fakteve, kanë intensifikuar hetimet dhe kërkimet, pasi lindën dyshime se kishim të bënim me një krim brenda familjes.
Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit të Enverit, konkretisht Esmerald Balla, 30 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi.
Ai tha se e kishte vrarë të atin pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari, babai i tij.
30-vjeçari, më datë 13.08.2024, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, pasi është kofliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë, me armë zjarri tip pistoletë.
Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka transportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor ka gjetur trupin e Enverit dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë, kasafortën e hapur me sende të forta, ku mbante lekët 30-vjeçari dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.
Trupi i Enverit u transportua në Morgun e spitalit të Durrësit, për ekzaminim mjeko-ligjor.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedural i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprat penale "Vrasja për shkak të marëdhënieve familjare", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd