DURRËS- Gjykata e Durrësit ka caktuar sot masën "arrest ne burg" për presidentin e klubit "Iliria" të qytetit të Fushë-Krujës dhe për nipin e tij, Petrit Selmani.
Ndërkohë mësohet se është caktuar masa "detyrim paraqitjeje" për dy futbollistët e klubit "Iliria", Santiago dhe Brajan Selani, dhe për një person tjetër të arrestuar të shtunën.
Të pestë personat u vunë në pranga në fundjavë pas pretendimit dhe denoncimit nga kreu i FSHF-së, Armando Duka se kishte marrë nga ta mesazh "kërcënues" dhe më pas i ishin afruar pranë ambienteve të banesës së tij.
VENDIMI:
1. Vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të personave nën hetim N. Selmani, S. Selmani, B. Selmani, P. Selmani dhe R. Loci, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 238/1 e 25 të Kodit Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personave nën hetim N. Selmani dhe P. Selmani.
3. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, ndaj personave nën hetim S. Selmani, B. Selmani dhe R. Loci.
4. Urdhërohen personat nën hetim S. Selmani, B. Selmani dhe R. Loci të paraqiten në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të Hënën e parë dhe të fundit të çdo muaji, ora 10:00.
5. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim S. Selmani, B. Selmani dhe R. Loci, nga salla e gjykimit, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.
6.Urdhërohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall sot në Durrës, më datë 04 Shtator 2024.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd