Prishtinë- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sot lidhur me deklaratat e Macron nga Beogradi.
Pavarësisht kritikave të lëshuara në adresë të tij nga presidenti Emanuel Macron, kryeministri Albin Kurti e cilëson Francën një aleat dhe partner shumë të rëndësishëm.
Ai tha se duan bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje ndërkombëtare, përfshirë edhe nga Parisi sa i përket sundimit të ligjit, dhe sigurisë për qytetarët.
“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë edhe mbështetjen ndërkombëtare përfshirë këtu edhe Francën që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian edhe në NATO”, tha Kurti.
Macron nuk ishte i vetmi që kritikoi ato që quajti veprime të njëanshme të qeverisë së Kosovës ditën e enjte. Mesazh të ngjashme erdhën edhe nga ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për operacione Thomas Goffus dhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin, gjatë një blici diplomatik në Prishtinë.
Duke ju referuar hapjes së urës mbi lumin Ibër, Goffus paralajmëroi se “veprimet e pakoordinuara, mundtë rrisin rrezikun e dhunës, e cila cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në vend dhe rrezikon trupat e KFOR-it.
“Shtimi i trupave ushtarake, i domosdoshëm momentalisht, nuk është zgjidhje për një paqe afatgjate në Kosovë. Zgjidhja është politike. Është thelbësore që edhe Prishtina edhe Beogradi të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet e mbetura. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve, të zbatojnë marrëveshjet e arritura pa vonesë”, tha Goffus.
Për zgjidhje politike dhe kompromise ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit foli në Prishtinë edhe i dërguari i qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin, i cili të njëjtën ditë me admiralin e NATO-s, takoi presidenten e Kosovës Osmani dhe kryeministrin Kurti. Sarrazin, në një deklaratë për media shprehu shqetësimin e tij, siç tha “me mungesën e gatishmërisë për kompromise”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd