Transmetuar më 26-08-2024, 11:55

BBC sjell rrëfimet, burrat e dhunuar gjatë luftës në Kosovë thyejnë heshtjen

Për gati 20 vjet, Albani mendonte se ishte i vetmi mashkull që përjetoi dhunë seksuale gjatë luftës së Kosovës në vitet ’90.

Kur autoritetet e Kosovës miratuan një ligj që mundësoi njohjen zyrtare të të dhunuarve në luftë, ai e kuptoi se nuk ishte i vetëm.

Albani (emri i ndryshuar) ishte 17 vjeç kur iku me familjen nga një fshat i Kosovës.

U fshehën te të afërmit, por nuk kishte ushqim të mjaftueshëm për të gjithë, kështu që u kthye në shtëpi për të marrë një thes me grurë.

Kur ka hyrë në oborr, është ndaluar nga një grup personash me uniforma të policisë serbe.

E futën me forcë në shtëpi.

“Në fillim nuk e kuptova se çfarë po ndodhte”, thotë Albani, i cili tashmë është dyzet vjeç.

“Ndjeva dhimbje dhe mendova se po më goditnin me thikë pas shpine.

“Më pas kuptova se më zhveshën dhe po më bënin më të keqen. Kam humbur vetëdijen”, thotë ai, ndërsa zëri i dridhet dhe kujtimet i vërshojnë.

Dritoni (emri i ndryshuar) e kupton shumë mirë historinë e Albanit.

Të dy nuk janë takuar kurrë, por Dritoni, tashmë në mesin e të 60-ave, ndan një sekret të ngjashëm.

Ai i mbijetoi abuzimeve të shumta seksuale, duke përfshirë përdhunimin në grup në vitin 1999, ndërsa kaloi 30 ditë në paraburgim në Kosovë.

Ai kujton se objekti i paraburgimit menaxhohej nga një formacion paraushtarak serb.

Ndonëse e dinte se kishte edhe burra të tjerë që kishin përjetuar të njëjtën dhunë, për vite me radhë nuk fliste për atë që kishte kaluar me askënd, përveç gruas së tij.

Vlerësohet se vetëm gjatë luftës në Kosovë deri në 20.000 persona kanë përjetuar dhunë seksuale, edhe pse deri tani nuk ka pasur asnjë hulumtim për të përcaktuar numrin më të saktë.

Serbia iu përgjigj aspiratave të Kosovës për pavarësi duke dërguar forca ushtarake dhe paraushtarake. Dhe veç vrasjeve kreu edhe krime të tjera lufte, si përdhunimi i civilëve.

Në vitin 2018, Kosova miratoi një ligj që u lejonte të mbijetuarve të abuzimit seksual gjatë luftës të merrnin statusin e viktimës civile dhe ndihmë financiare.

Ky vendim i inkurajoi Albanin dhe Dritonin të thyejnë heshtjen 25 vjeçare dhe të flasin për një nga tabutë e fundit të luftës.

Rreth 2000 persona kanë aplikuar dhe 1650 kanë marrë statusin e viktimave civile të luftës deri më tani.

Në mesin e tyre janë 84 burra, sipas të dhënave të Komisionit Kosovar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave Civile të Luftës, në të cilat gazetarët e BBC-së kishin qasje.

Qeveria e Kosovës fillimisht caktoi shkurtin 2023 si afat të aplikimit, por më vonë u shty deri në maj 2025.

Një sekret i mbajtur mirë

Albani jeton ende në shtëpinë modeste familjare ku u përdhunua.

“Është e tmerrshme, por nuk kam pasur kurrë mundësi për të lëvizur”, thotë ai, duke i kthyer sytë.

Korridori ku ai u sulmua lidh një kuzhinë të vogël, banjë dhe dy dhoma gjumi, ku jeton me gruan dhe fëmijët e tij.

Gruaja bën punë nëpër shtëpi, fëmijët luajnë dhe jeta familjare vazhdon pa e ditur asnjë prej tyre se çfarë ndodhi në shtëpinë e tyre.

“Nuk dua që familja ime ta marrë vesh, sepse edhe sot ka momente që do të doja të mos ekzistoja fare”.

“Më shkatërruan moralin, ndonjëherë shqetësohem akoma nëse jam mjaftueshëm burrë – është një barrë e rëndë”, thotë Albani me ton të trishtuar.

Para se të kërkonte statusin e viktimës civile të luftës, Albani foli vetëm një herë për vuajtjet e tij.

Pak ditë pasi u përdhunua, ai ndau sekretin me të atin.

“Ishte i dërrmuar, por i lumtur që mbijetova, sepse tha se mund të më kishin vrarë”, kujton Albani me lot në faqe.

Edhe Dritoni mendoi t’i tregonte babait të tij, por nuk e bëri.

“Ishte i moshuar dhe i sëmurë, kisha frikë se stresi do ta vriste”, thotë ai.

“Megjithatë, babai im e pa që diçka nuk shkonte, më tha se duhej të mbaja diçka brenda”.

Dritoni mori guximin për t’i treguar gruas së tij, e cila lindi fëmijën e tyre të tretë një javë pasi u lirua nga paraburgimi serb.

“Ajo e pranoi se ajo që ndodhi nuk ishte faji im”, shton ai, duke shtrënguar fytyrën me të dyja duart.

Një pikë heshtjeje për shumë vite

Organizata Human Rights Watch vlerësoi se përdhunimi gjatë luftës në Kosovë ishte “instrument i spastrimit sistematik etnik” nga regjimi i presidentit të atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç.

Për shumë vite, përdhunimi ishte tabu edhe tek femrat shqiptare të Kosovës, thotë Feride Rushiti, mjeke dhe aktiviste për të drejtat e njeriut nga Prishtina.

Organizatat e specializuara joqeveritare, si QKRMT, bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës për të verifikuar të mbijetuarat e përdhunimit në mënyrë që t’u jepet statusi i viktimave civile të luftës.

Pasi të kenë fituar statusin, ata kanë të drejtë për një kompensim të përjetshëm prej rreth 230 euro në muaj, afërsisht një e treta e pagës mesatare në Kosovë.

Për vite të tëra pas luftës, të dy morën antidepresantë dhe qetësues të përshkruar nga mjekët për simptoma të tilla si ankthe, ndryshime humori dhe rrahje të zemrës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit