Kërkimet trevjeçare të ekspeditës së përbashkët të arkeologëve shqiptarë, arkeologëve të Universitetit të Këlnit në Gjermani dhe atij të Bufalos në SHBA ka zbuluar në fshatin Podgorie të Maliqit, gjurmë të rrethimit të një vendbanimi që daton nga 5500 deri në 5 mijë vjet para Krishtit.
Rrethimi nuk është fortifikim, por një hendek që mbronte vendbanimin nga kafshët e egra. Gërmimet janë fokusuar në zonën e Luadishtit ku besohet se gjenden gjurmë dhe objekte që i përkasin periudhës së neolitit të mesëm.
Drejtuesja e ekspeditës Edlira Andoni pohoi se intensiteti i gjetjeve arkeologjike dhe studimi gjeomagnetik i sitit, treguan për ekzistencën e një vendbanimi të neolitit të mesëm në zonën e fshatit Podgorie.
Arkeologët kanë arritur të dokumentojnë moshën e rrethimit të këtij vendbanimi prehistorik, i cili mendohet të jetë 7 mijë vjeçar.
“Ne zbuluam rrethimin e vendbanimit, konsiston në një lloj kanali, nuk është fortifikim, por një formë për të treguar se ku ndodhet vendbanimi. Për të mbajtur kafshët e zbutura apo të egra”, thotë për Tv Klan Edlira Andoni, drejtuese e ekspeditës .
Gjatë kërkimeve të këtij viti ekspedita u fokusua tek gjetja e gjurmëve dhe elementëve të banesave neolitike. Rezultatet e studimeve hedhin dritë mbi arkitekturën e banesave, të ndërtuara kryesisht me baltë të pjekur dhe dru.
“Po mbledhim të dhëna të reja për datimin e vendbanimit, për të ndërtuar aktivitetet ekonomike, sociale të banorëve neolitikë”, theksoi Edlira Andoni.
Zona e Maliqit dhe e Korçës njihen për pasuritë e jashtëzakonshme arkeologjike të periudhës së prehistorisë, të cilat janë zbuluar nga ekspedita vendase dhe të huaja.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd