Transmetuar më 17-08-2024, 20:09

KOSOVË- Besnik Boletini ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), për shkak të mosmarrjes së masave për personat përgjegjës që transmetuan në RTK një pjesë të artikullit të portalit boshnjak, “Slobodna Bosna” .

Boletini njoftoi përmes Facebookut se gjatë këtyre javëve, “kundër vështirësive” ka pasur përpjekje që të adresohet “skadali i publikimit të një artikulli të paverifikuar”. Por, shtoi se në RTK nuk ka vullnet që të ndërmerren masa ndaj përgjegjësve për këtë rast.

“Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta [që i ka përgjegjësitë e drejtorit] nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, shkroi Boletini në Facebook.

Në artikullin e “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), të publikuar në korrik, supozohej se disa media të caktuara në rajonin e Ballkanit i janë nënshtruar regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit.

Në atë artikull janë përmendur edhe dy portale të Kosovës: “Nacionale” dhe “Periskopi”.

Në Kosovë ka pasur reagime rreth këtij artikulli, kryesisht për faktin që RTK-ja transmetoi një pjesë të tekstit dhe ai më pas është shpërndarë prej disa deputetëve të partisë në pushtet.

Pas publikimit të një pjese të artikullit të portalit serb në RTKlive dhe në RTK, Bordi i RTK-së u mbodh më 23 korrik dhe shprehu shqetësim për publikimin e “artikullit kontrovers në RTK.

Bordi e kishte cilësuar publikimin e tij si “ “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti. Për këtë çështje ishte formuar një komision.

Më 24 korrik, 16 organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Boro Kontiq, gazetar veteran nga Bosnja dhe Hercegovina dhe drejtor i Qendrës Mediale në Sarajevë, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se, “Slobodna Bosna” është një media e themeluar në vitet 1989-1990 nga Senad Avdiq.

Sipas mendimit të tij, Avdiq ishte një nga gazetarët më të mirë në atë kohë dhe “Slobodna Bosna” një nga mediat kryesore të besueshme që luajti një “rol revolucionar” në vitet 1990 në nxjerrjen në pah të planit për rrethimin e Sarajevës nga ushtria jugosllave.

“Për shumë, ajo ishte një surprizë, por doli që shumica e asaj që publikuan ishte e vërtetë”, ka thënë Kontiq gjatë muajit korrik.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk e di nëse mund të flasë më për besueshmëri, pasi ky portal ka pësuar disa ndryshime. Në mesin e viteve ’90, kjo media u kthye në gazetë të përjavshme dhe në 15 vjetët e fundit është vetëm online.

“Në një moment u fol shumë se ata u mbështetën nga SDA [Partia e Veprimit Demokratik], partia më e madhe boshnjake. Nuk e di se çfarë po ndodh. Unë njoh disa nga gazetarët që punojnë atje, janë gazetarë të mirë, profesionistë. Prandaj, është një media që ka një të kaluar të madhe, por çfarë është sot, t’iu them të drejtën, nuk e di”, ka thënë mes tjerash Kontiq./REL

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit