Transmetuar më 13-08-2024, 23:19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se hapja e urës në Ibër është një çështje që është përmbyllur në vitin 2016 dhe 2017 në Bruksel dhe se nuk ka më asnjë diskutim për këtë temë sepse, siç thotë ai, tani është nën juridiksionin e institucioneve të Kosovës.

Kurti ka thënë se për hapjen e urës duhet vetëm të merret konfirmimi i qëndrueshmërisë nga ministria përkatëse.

“Çështja e urës në Ibër është çështje e Kosovës, është një çështje që është përmbyllur sa i përket Brukselit në vitin 2016 dhe 2017 dhe ura duhet të hapet. Ne duam lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë. Nga këndvështrimi ynë, ajo që duhet të presim është raporti për qëndrueshmërinë e urës. Kur ta shohim raportin, do të vlerësojmë se sa e qëndrueshme është ura”, ka thënë Kurti gjatë një vizite në punimet në rrugën Prizren-Tetovë.

Sipas tij, ura në Ibër është dashur të hapet që në janar të vitit 2017.

“Nuk është çështje diskutimi, është çështje hapjeje dhe në vitin 2016 kanë përfunduar të gjitha diskutimet dhe është thënë që ura duhet të hapet më 20 janar 2017. Tani nuk jemi as në janar as në 2017, por në gusht 2024”, theksoi Kurti.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit