Një 12-vjeçar nga Kosova pasi ka gjetur një portofol me 2500 euro dhe me dokumentet personale të pronarit e ka dorëzuar në polici.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, 6 gusht në Skënderaj, ku i mituri me inicialet B.A pasi kishte gjetur portofolin kishte shkuar menjëherë në Komisariatin e Policisë për ta dorëzuar.
Uniformat blu e konsideruan si një veprim shembullor teksa kanë identifikuar personin që i kishte humbur kuleta.
“Shembull i mirë i qytetarit dymbëdhjetëvjeçar B.A nga Skenderaj, i cili dje në orët e mbrëmjes kishte gjetur një portofol, të cilin menjëherë e kishte dorëzuar në Stacionin Policor në Skenderaj.
Policia ka verifikuar dokumentacionin në portofol dhe ka konstatuar se përpos dokumentacioneve të rëndësishme, në portofol gjendej një shumë e parave prej 2500 euro. Policia ka identifikuar dhe verifikuar personin të cilit i përkiste portofoli dhe i kishte kthyer atij portofolin me paratë dhe dokumentacionin”, thuhet në raportin e policisë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd