Që në fillim të viteve ’90 kanë kaluar më shumë se 30 vjet që emigrantët shqiptarë nëpër botë janë vetëm formalisht në listat e zgjedhësve. Ata nuk mund të votojnë në vendin ku jetojnë.
Por një ndryshim që iu bë së fundi Kodit Zgjedhor mendohet ti ketë hapur rrugën votimit edhe jashtë shtetit për shqiptarët që jetojnë nëpër glob, me mundësi që të aplikohet edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, foli sot mbi këtë zhvillim. Ai tha se me ndryshimet e fundit është përmbushur edhe urdhri i Gjykatës Kushtetuese, që kërkonte nga Kuvendi i Shqipërisë të plotësonte boshllëqet ligjore, me qëllim që për zgjedhjet e vitit 2025 të mundësohej votimi nga jashtë.
“KQZ ka filluar që në ditën e parë pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nga Kuvendi i Shqipërisë, me përgatitjen e këtij procesi, duke filluar me listimin e të gjithë atyre akteve rregullatore dhe nevojave logjistike për realizimin e tij”.
Celibashi tha se të gjithë ata qytetarë shqiptarë me të drejtë vote, të cilët gjenden në ditën e votimit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë kanë të drejtë dhe mundësi të votojnë.
Kjo bëhet e mundur pasi u rrëzua varianti i parë që vendoste se vetëm ata të cilët kishin një rezidencë të deklaruar mund të votonin.
"Tani, kushdo, i cili nëpërmjet një dokumenti të caktuar vërteton që gjendet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në ditën e votimit, ka të drejtë të ushtrojë të drejtën e votës atje ku ai është ditën e zgjedhjeve”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Por edhe kjo pikë ha diskutim dhe është evazive. Është e vështirë të sanksionosh se cili dokument do të konsiderohet i pranueshëm për të votuar.
Celibashi pohoi se KQZ-ja ende nuk ka përgatitur listën e dokumenteve që do të duhet të paraqesë një votues për të vërtetuar që është jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Por si do të realizohet procesi i votimit? Celibashi tha se regjistrimi do të bëhet përmes një platforme elektronike, e cila do të ndërtohet dhe do të administrohet nga KQZ.
“Çdo qytetar shqiptar me të drejtë vote që banon jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe do që të votojë atje ku ai ka vendbanimin, do të duhet të regjistrohet nëpërmjet kësaj platforme, e cila ofron të gjithë garancitë dhe sigurinë mbi identitetin e votuesit”, u shpreh Celibashi.
Megjithatë, ajo që u kërkua shumë, sidomos nga shoqëria civile, për votim në qendra votimi ku ka më shumë emigrantë, nuk do të realizohet. Mundësia e vetme do të jetë me postë.
Këtë e konfirmoi Celibashi kur tha se qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të votojnë vetëm nëpërmjet postës.
“Fleta e votimit do t’i dërgohet aty ku ata banojnë ose tek ajo adresë që ata do të deklarojnë. Fletëvotimi do të dërgohet nëpërmjet shërbimit postar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe do të kthehet në KQZ prej tyre po nëpërmjet shërbimit postar”, shtoi ai.
Kreu i KQZ nuk tha afate për këtë proces, por kjo mund të marrë 1 muaj kohë me këtë proces të dyfishtë për të votuar.
Një tjetër pikë që duan të dinë emigrantët është se kush do ti numërojë votat e tyre.
Celibashi tha se numërimin dhe vlerësimin e votave të qytetarëve që kanë votuar nga jashtë do ta bëjë KQZ.
“Do të përgatisim një akt normativ, i cili do të rregullojë të gjithë procesin e mbërritjes, të numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit. Do të jetë KQZ, institucioni i cili do të bëjë numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Një tjetër pikë e paqartë pas vorbullës që u hodh mbi fatin e votave të emigrantëve u sqarua sot nga Celibashi.
I pyetur mbi llogaritjen e votës të atyre që votojnë nga jashtë, ai sqaroi se vota e atij që voton nga jashtë do të llogaritet në rezultatin e zgjedhjeve të qarkut ku ai ka regjistrin e gjendjes civile në territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Pra, një qytetar, i cili e ka regjistrin e gjendjes civile në qarkun e Tiranës (në një nga bashkitë e qarkut të Tiranës) edhe pse ai prej vitesh mund të banojë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në Milano, Berlin, Londër, etj., vota e tij do të llogaritet për deputetët e Qarkut të Tiranës”, saktësoi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd