KOSOVË- Për mbylljen degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës vënë në rrezik qytetarët dhe ushtarët e KFOR-it. Në reagimin që e ka përcjellë Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, thuhet se “Qeveria e SHBA-së është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër filialeve të postës serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtar".
Më tej thuhet se SHBA i kërkon Qeverisë së Kosovës të ndërpresë veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Edhe Bashkimi Evropian e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës. Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë BE përmes një deklarate.
Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok. Zyrtarë të saj kanë thënë se kanë nisur aksionin policor pasi kanë marrë informacione nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd