Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se ka paraqitur kallëzim penal kundër shefit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi në lidhje me incidentit në të cilin u përfshi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani të enjtën në Aeroportin e Shkupit.
S.S. akuzohet për “rrezikim të sigurisë” dhe “parandalim të zyrtarit nga kryerja e një vepre zyrtare”.
“Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale në MPB, Prokurorisë Publike Themelore kompetente për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Departamenti i Specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me autorizim policor dhe pjesëtarë të policisë së burgut, ka paraqitur kallëzim penal ndaj S. S., shef i Departamentit për sigurinë personale të Kryetarit të Kuvendit për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të “Rrezikimit të sigurisë” dhe veprën penale “Parandalimi i zyrtarit nga kryerja e një vepre zyrtare”, thuhet në njoftimin e MPB-së maqedonase.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, ai kishte hyrë i armatosur në aeroportin e Shkupit dhe e kishte kërcënuar një punonjës.
“I raportuari S.S. më 01.08.2024. rreth orës 10:30 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ka mbërritur në parkingun para zonë VIP me një automjet me drita rrotulluese, ka zbritur nga automjeti dhe e ka hequr armën nga brezi, e ka përgatitur dhe e ka futur sërish në brez, ndërsa policit nga Departamenti i Policisë në vendkalimin kufitar Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, i cili ishte në detyrë para derës së hyrjes VIP, iu drejtua me ton të lartë, e shtyu me të dyja duart dhe duke e kërcënuar, ka penguar punonjësin e policisë si zyrtar në kryerjen e veprimeve të tij zyrtare”, thuhet në njoftim.
Sipas ministrisë maqedonase, ai “është dërguar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga kryetari i Kuvendit për të tejkaluar keqkuptimin që ka lindur me Presidentin e Kosovës lidhur me procedurat e sigurisë për kontrollin e bagazheve dhe pajisjeve elektronike gjatë fluturimit me fluturime komerciale”.
Për sigurimin, thuhet se u fut pa autorizim në zonën VIP dhe “filloi të kërcënonte”, duke kërkuar, siç thuhet, që “ta shoqëronte presidenten me automjet deri në avion”.
“Njësiti për kontroll brendshëm në përputhje me kompetencat e veta do të paraqesë propozim për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj punonjësit të policisë S.S. dhe do të shqiptojë masa të detyrueshme për largim nga vendi i punës – pezullim deri në përfundimin e procedurës disiplinore, ndërsa ndaj punonjësve të policisë S.R. dhe N.B. do të paraqesë Propozim për fillimin e procedurës për shkelje të urdhrit të punës dhe disiplinës për shkak të ekzekutimit të urdhrit të kundërligjshëm, kryerjes së pakujdesshme të detyrave të punës dhe dëmtimit të reputacionit të policisë”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Maqedonisë së Veriut
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd