Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar këtë të hënë drejt Maqedonisë së Veriut ku dhe ka zhvilluar një takim me homologun e tij maqedonas, Hristjan Mickoski.
Pas një takimi “kokë më kokë” liderët e dy vendeve kanë zhvilluar dhe një konferencë të përbashkët për shtyp aty ku dhe është komentuar dhe situata aspak e hijshme e regjistruar ditë më parë, ku presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ndalua në aeroportin e Shkupit.
Lidhur me këtë incident kryeministri i Kosovës ka folur për herë të parë ku dhe ka kërkuar që kjo situatë të mos përsëritët më.
Ai u ka bërë thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që t’i kushtojnë rëndësi maksimale dhe të bëjnë të mundur zbardhjen e plotë të këtij incidenti aspak të hijshëm, jo vetëm për presidenten Osmani dhe dy vajzat e vogla por për të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Pa dyshim ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes Vjosa Osmani, me dy gusht në aeroportin e Shkupit, ka qenë me familje dhe me dy vajza të vogla. Autoritet e Maqedonisë së Veriut, krerët e shteti këtu kanë shprehur keqardhje për rastin. Do të ketë raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje, dhe ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe mos të përsëritet kurrë më një situatë e tillë”, tha Kurti, duke theksuar ndër të tjera se Kosova nuk ka pasur asnjë qëndrim zyrtar ku të ketë thënë se ngjarja ku u përfshi presidentja e vendit të ketë qenë provokim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
“Nuk e di se kemi pasur qëndrim të tillë si institucione se ka qenë provokim, por jo institucionet Republikës. MPJD ka dhënë qëndrimin e saj që është qëndrim i Republikës së Kosovës, po ashtu kemi parë edhe qëndrimin e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut. Besoj se duhet të synojmë të vërtetën dhe assesi tensionimin. Pra le të zbardhet rasti, janë institucionet që e bëjnë këtë. Ne s’mund të bëjmë edhe zyrtarin doganor, edhe zyrtarin policor edhe atë që mbikëqyr aeroportin”, tha Kurti ndër të tjera.
Ndërkohë, nga ana tjetër kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin të cilin u desh të kalonte presidentja Osmani, teksa u zotua se në takimi ne radhës ai do ta shoqërojë personalisht atë deri në momentin që të largohet.
“Na vjen keq dhe nuk duam të përsëritet. Unë personalisht theksova se presidentja e Kosovës është e mirëseardhur si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës dhe radhën e ardhshme, nëse marr informatë në kohë, do të kem kënaqësi ta pres në aeroportin e Shkupit dhe ta shoqëroj në kohën që do ta kalojë në aeroportin e Shkupit që t’u shmangemi këtyre incidenteve dhe sjelljeve të individëve që është problemi ynë i brendshëm që do ta zgjidhim brenda shtetit tonë”, tha ai.
Vlen të theksojmë se deri më tani kryeministri Kurti nuk kishte reaguar lidhur me këtë situatë në të cilën presidentja Osmani u përfshi.
Kjo heshtje e kreut të qeverisë së Kosovës u interpetua nga analistë të ndryshëm si “ftohje” mes Kurtit dhe Osmanit dhe se dy krerët e shtetit kanë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd