Transmetuar më 02-08-2024, 23:03

KOSOVË- Republika e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas incidentit të ndodhur në Aeroportin e Shkupit, ku një pjesëtar i sigurimit tentoi t’i merrte telefonin personal presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Gjithashtu Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut theksoi se marrëdhëniet mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë pozitive dhe konstruktive, pa çështje të hapura dhe me dialog të ndershëm në të gjitha nivelet dhe fushat. Në njoftimin e MPJ-së shprehet keqardhje për keqkuptimet që ndodhën gjatë udhëtimit të djeshëm të presidentes Osmani në aeroportin ndërkombëtar.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pas një analize të detajuar të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të shmangur situata të tilla në të ardhmen,” thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Sakaq ky incident nënvizon nevojën për të forcuar komunikimin dhe koordinimin mes dy vendeve për të garantuar respektin dhe sigurinë në marrëdhëniet dypalëshe. Gjatë ditës, Presidenca e Kosovës tha se është e indinjuar me deklarimet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, por edhe me, siç e cilësoi, propagandën kundër Kosovës nga disa media në shtetin fqinj, lidhur me incidentin që ndodhi më 1 gushtnë Aeroportin e Shkupit ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se i ka paraqitur një notë proteste autoriteteve maqedonase, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje. Presidenca kosovare kërkoi nga autoritetet në Shkup që në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Kosovës, me urgjencë të trajtojnë këtë rast dhe të merren masa ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës.

“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, u tha në reagim.

Për incidentin e 1 gushtit kanë reaguar edhe përfaqësues të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët kanë dënuar rastin, ndërkaq zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se ka pasur “keqkuptim mes MPB-së, TAV-it dhe sigurimit të Osmanit është tejkaluar pa komplikime dhe situata është tejkaluar pa pasoja. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit