Skandali i ndodhur mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Shkupit, me protagoniste Presidenten Vjosa Osmani ka vënë në lëvizje Ministrinë e Jashtme të Kosovës, e cila ka kërkuar informata zyrtare dhe detaje të rastit nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
Ministria sqaron se pas incidentit, por edhe gjatë ditës së sotme janë zhvilluar takime midis shefes së diplomacisë kosovare Donika Gërvalla dhe ambasadores së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, ku janë kërkuar sqarime në lidhje me rastin.
Gërvalla gjithashtu ka pritur në një takim zv/kryeministrin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ndërsa ka komunikuar në telefon me homologun e saj, Timço Mucunski, dhe në të dyja komunikimet ka shprehur shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm duke vendosur theksin te nevoja e ndërmarrjes së veprimeve të shpejta institucionale.
Po ashtu një notë proteste është paraqitur nga MPJ e Kosovës pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident.
Gërvalla ka kërkuar nga autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
“Lidhur me incidentin e djeshëm në Aeroportin e Shkupit, ku Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Dr. Vjosa Osmani, u ballafaqua me një trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga ana e pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm duke kërkuar informata zyrtare dhe detaje të rastit nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kosovë. Në kuadër të veprimeve të ndërmarra, Ministrja Gërvalla ka pranuar sot pasdite edhe një telefonatë nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm.”
Ndërsa ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar në lidhje me incidentin se kanë qenë të përfshirë edhe truprojat e kryetarit shqiptar të Parlamentit maqedonas, Afrim Gashi, duke kërcënuar punonjësit e sigurisë të aeroportit. Kjo është hedhur poshtë nga kryeparlamentari.
Incidentin e rëndë e dënoi edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, duke e cilësuar si skandalin më të papranueshëm diplomatik.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd