Transmetuar më 01-08-2024, 17:34

Shkencëtarët studiuan ecurinë pas infektimit me kovid në 475 njerëz që ishin shtruar në spital përpara se vaksinat të ishin të disponueshme, raporton noa.al.

Problemet shëndetësore, veçanërisht ato neurologjike, mund të vazhdojnë me vite te njerëzit e shtruar në spital për Covid-19 në fillim të pandemisë, me disa pacientë që zhvillojnë simptoma më të rënda apo edhe të reja, kohë pas infektimit, thonë studiuesit.

Ata zbuluan se ndërsa shumë njerëz që u përballën me shtrime afatgjata në spital me Covid u përmirësuan me kalimin e kohës, një pjesë e konsiderueshme kishin ende probleme njohëse dy deri në tre vjet më vonë dhe panë që simptomat e depresionit, ankthit dhe lodhjes të përkeqësoheshin në vend që të pakësoheshin.

Shumë të tjerë, edhe vite pas infektimit nuk kanë rifituar plotësisht nuhatjen dhe shijen.

Shkencëtarët studiuan Covid-in afatgjatë në 475 njerëz që ishin shtruar në spital me virusin përpara se të viheshin në dispozicion vaksinat, për të zbuluar nëse problemet neurologjike, lodhja dhe problemet e shëndetit mendor vazhduan apo u shfaqën pas vitit të parë.

Ndërsa studiuesit nuk kishin informacion mbi aftësitë e të menduarit të pjesëmarrësve përpara se të merrnin Covid, testet njohëse dy deri në tre vjet më vonë treguan se mesatarisht IQ-të e pacientëve ishin 10 pikë më të ulëta se sa pritej për moshën, arsimin dhe faktorë të tjerë.

Një në nëntë tregoi shenja të "deficiteve të rënda njohëse", të cilat barazohen me një IQ 30 pikë më të ulët se sa pritej.

Pyetësorët e plotësuar nga pjesëmarrësit treguan se shumë prej tyre ndjenin nivele të moderuara deri në të rënda të depresionit (47%), lodhjes (40%) dhe ankthit (27%) dy deri në tre vjet pas Covid. Në vend që të përmirësoheshin me kalimin e kohës, simptomat ishin mesatarisht më të këqija dy deri në tre vjet pas infektimit sesa gjashtë deri në 12 muaj më vonë.

“Ajo që ne e dinim para se të bëhej studimi ishte se Covid-19 lidhet me një rrezik më të madh të aftësive njohëse, depresionit dhe ankthit në krahasim me infeksionet e tjera të frymëmarrjes”, tha Dr Max Taquet, autor i studimit nga Universiteti i Oksfordit, citon noa.al.

Rezultate shqetësuese

Më shumë se një në katër persona në studim ndryshuan profesione pasi u infektuan me virusin, shpesh sepse nuk mund të përballonin më kërkesat e punës së tyre.

Ata që dolën më keq gjatë viteve ishin shpesh ndër më të sëmurët gjashtë muaj pas infektimit, por ashpërsia e sëmundjes fillestare nuk dukej se ndikonte në rezultatin e tyre afatgjatë.

Sakaq përqindja e pacientëve që raportuan depresion, ankth dhe lodhje u rrit pas gjashtë muajsh, problemet njohëse dukej se po përmirësoheshin. Gjashtë muaj pas infektimit, 44% kishin deficite objektive njohëse krahasuar me 33% në dy deri në tre vjet.

Çfarë thonë shkencëtarët?

Punimi, i botuar në Lancet Psychiatry, i bëri autorët të nënvizojnë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe menaxhimit të simptomave afatgjata të Covid-it për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të një çrregullimi më kompleks.

Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare, numri i njerëzve me Covid afatgjatë vazhdon të rritet, me 2 milionë njerëz në Angli që vazhdojnë të përjetojnë simptoma. Mjegullimi i trurit që shumë njerëz raportojnë është e barabartë me një rënie prej gjashtë pikësh në IQ, sipas një studimi të fundit.

Danny Altmann, një profesor i imunologjisë në Imperial College London, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha se gjetjet ishin "të thella dhe shqetësuese" dhe paralajmëroi njerëzit që të mos bëhen të vetëkënaqur me vaksinat dhe variantet më të buta të Covid.

Paralajmërime të reja

Rreziku i Covid-it afatgjatë ka rënë nga rreth 10% në valën e parë të infeksioneve në rreth 2.5% sot, por kjo ende përfaqëson një "numër të madh rastesh", tha Altmann.

Ai alarmon: "Covid-19 po vazhdon dhe mund të bëjë akoma gjëra të tmerrshme për ju, kështu që ia vlen të qëndroni të fortifikuar dhe të shmangni ri-infektimin". /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit